“Djajtë” djersijnë me danezët, Solskjaer i falet Fernandeshit
Kopenhageni dorëzohet në shtesë nga një penallti
Mesnata po afronte kur Bruno Fernandesh më në fund arriti të zhbllokojë rezultatin kundër danezëve të Kopenhagenit nga pika e penalltisë në kohën shtesë, duke e bërë skuadrën e tij të qëndrojë në Gjermani së paku edhe për gjashtë ditë të tjera. Me vetëm një humbje në 21 ndeshjet e fundit të luajtura në Ligën e Europës për Mançester Junajtid, mund të shohin me më shumë besim finalen e madhe. Një çerekfinale aspak e lehtë për Junajtid në mbrëmjen e Këlnit, në të kundërt të asaj që mund të mendohej në letër: danezët e Kopenhagenit mendohet të ishin një nga pengesat më të lehta të “Djajve të Kuq” në rrugën drejt gjysmëfinaleve, ku skuadra e Solskjaer do të përballet me fituesen e duelit mes Uolverhemptonit dhe Sevijes.
SHTYLLA - Do të duhet një paraqitje më e mirë e Junajtid në ndeshjen e radhës, pavarësisht nga kundërshtari që do të ketë përballë skuadra e Solskjaer. Anglezët po “fluturojnë” në periudhën pas pandemisë, por në disa raste janë shfaqur me paraqitje nën nivelin dhe e djeshmja ishte një prej tyre. Vërtet e goditën disa herë shtyllën dhe iu anulua një gol, por duhet shënuar gjithashtu fakti që Kopenhageni bëri që të kalojnë më shumë probleme në mbrojtje nga se kishin menduar. Nuk pati spektatorë në stadiumin e Këlnit, një nga katër impiantet e përzgjedhur për të pritur fazat finale të këtij kompeticioni. Asnjë flamur, asnjë këngë përreth qytetit siç duhet të ndodhte normalisht në një ditë ndeshjeje. Atmosfera brenda arenës prej 50.000 vendesh ishte e qetë, me Junajtidin që zhvilloi ndeshjen e tretë radhazi në Europë pa tifozë. Duhet të kishte nisur të ndihej si diçka normale, por nuk është aspak.