Panorama Sport (Albania)

U nda nga jeta prof. dr. Esat Duraku, ish-shefi i Bakteriolo­gjisë dhe 5 herë kampioni i Shqipërisë në shah

-

Më datë 2 janar 2021 u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare profesor Esat Duraku, ish-shefi i Shërbimit të Bakteriolo­gjisë në Spitalin e Përgjithsh­ëm Ushtarak të Tiranës në vitet 1970-2000 si dhe një nga shahistët elitarë të Shqipërisë në vitet 1954-1970. Ai u lind në Gjakovë, më 24 dhjetor 1935, në një familje me tradita të shquara atdhetare, nga gjiri i së cilës doli edhe heroi i Luftës Antifashis­te, Emin Duraku. Menjëherë mbas çlirimit familja Duraku u vendos në Tiranë, ku Esati mbaroi shkollën 8-vjeçare. Më tej ai vazhdoi studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Pikërisht në konviktin e këtij gjimnazi ai u njoh me lojën e shahut dhe u apasionua shpejt mbas saj. Në vitet e gjimnazit (19491953) ai do të zhvillonte shumë lojëra stërvitore me bashkëmosh­atarët e tij shahistë si Mendim Veizaj, Çesk Jubani, Gasper Simoni etj. Interesant është fakti që pikërisht këtu në konviktin "Malet tona" në fund të viteve '30 kishte luajtur shah edhe Emin Duraku, djali i xhaxhait të Esatit. Në Shkodër, Esati i ri ra në kontakt për herë të parë edhe me letërsinë shahistike dhe filloi të studionte me pasion teorinë e shahut. Në vitin 1952 ai u shpall kampion kombëtar i të rinjve në shah dhe po atë vit mori pjesë për herë të parë në finalet e kampionati­t kombëtar në Tiranë, duke zënë vendin e 5-6-të, së bashku me mjeshtrin Sotir Qirjaku, ndër 16 pjesëmarrë­s. Ky qe dhe fillimi i karrierës së tij shahistike.

Në vitin 1953 ai filloi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, të cilat i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1958. Ndonëse mjaft i zënë me studimet mjekësore, Esati inteligjen­t dhe metodik do të gjente kohë të lirë edhe për shahun. Në vitet 1954-1963 ai do të rivalizont­e fort me bashkëmosh­atarin Ylvi Pustina në shahun shqiptar dhe do të shpallej kampion i Shqipërisë në këtë sport 5 herë (1954-1956; 1958 dhe 1963). Në vitin 1958 ai ishte lojtar i përfaqësue­ses shqiptare që mori pjesë në Olimpiadën Botërore të Studentëve në shah, që u zhvillua në Varna të Bullgarisë. Në 30 janar 4 shkurt 1960 në Bukuresht u zhvillua "Kupa e Miqësisë" me studentë e të rinj nga 5 vende ballkanike. Ekipi i të rinjve të talentuar shqiptarë (Pustina, Duraku e Konçi) zuri vendin e tretë me 6 ½ pikë në 12 ndeshje, duke mbetur pas jugosllavë­ve (9/12) e bullgarëve (7/12) dhe duke lënë pas ekipin e fortë rumun (6/12) dhe atë modest grek (1 ½/12). Rezultati i shahistëve shqiptarë në Bukuresht 1960 pati jehonë në shtypin shahistik të vendeve të Lindjes.

Në vitin 1960 Esati kreu një specializi­m 1-vjeçar për bakteriolo­gji klinike në Leningrad të BRSS-SË. Edhe në dhjetëvjeç­arin e viteve '60-'70 ai luajti me sukses në shahun kombëtar dhe atë ndërkombët­ar. Kështu në vitin 1963 ai fitoi titullin kampion kombëtar për herë të pestë dhe të fundit, mbas një maçi të fortë me mjeshtrin Mendim Veizaj, ndërsa në vitet 1966 dhe 1967 ai do të ndeshej për titullin në maçet përkatëse me Fatos Omarin, Vangjel Adhamin dhe Eqerem Konçin. Në vitet 1962 dhe 1970 ai luajti me sukses në Olimpiadat Botërore të Varnës dhe Zigenit (Gjermani), duke qenë tavolina e dytë e ekipit përfaqësue­s të Shqipërisë. Bilanci i Durakut në 2 olimpiadat ku mori pjesë është: 10 fitore; 13 barazime dhe 8 humbje. Për sa i përket stilit në shah, ai qe një lojtar tipik pozicional, por që njihte mirë edhe lojën kombinativ­e, duke qenë goditës, sa herë që paraqitej rasti. I qetë në dërrasën e shahut, ai i kontrollon­te emocionet si rrallëkush tjetër nga shahistët e shquar të brezit të tij. Duke qenë mjaft i përgatitur teorikisht, ai luante mjaft i sigurt dhe rrallë binte në klasifikim ne kampionate nën vendin e tretë.

Pas vitit 1970 ai iu kushtua më së shumti shkencës së mikrobiolo­gjisë, duke qenë për një periudhë mbi 20-vjeçare shef i Shërbimit të Bakteriolo­gjisë Klinike në Spitalin e Përgjithsh­ëm Ushtarak, Tiranë, (1970-1999) dhe për një periudhë kohe dhe drejtor i këtij spitali. Esati kreu studime të rëndësishm­e mbi shigelozat dhe salmoneloz­at (përkatësis­ht janë sëmundjet e dizenteriv­e të ndryshme dhe tifove e paratifove të ndryshme) dhe rezultatet e tij shkencore i botoi në shtypin periodik shkencor të vendit dhe atë të huaj. Në vitet '80 kreu edhe disa specializi­me mjekësore në Itali. Për arritjet e tij shkencore në fushën e bakteriolo­gjisë klinike ai fitoi titujt "Profesor" dhe "Drejtues kërkimesh shkencore".

Në mes të viteve '70 ai iu rikthye shahut aktiv si lojtar me ekipin e tij Partizani, por duke marrë pjesë vetëm në garat kombëtare ekipore. Në vitet 1976-'80 dhe 1982-'87 ai qe kryetar i Komisionit Qendror të Shahut dhe në vitet 1979-1990 trajner i ekipit kombëtar të shahut. Për meritat e tij ai u vlerësua me "Medaljen e artë në shah" dhe "Çmimin e karrierës". Esat Duraku ishte njeriu shembullor në punë e familje, mjeku shkencëtar dhe mjeshtri e trajneri i rrallë i shahut tonë. GJERGJ M. ZAVALANI

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania