Italia pa frena, Mançini: Synoj Botërorin si Lipi
Sensi zhbllokoi, Donaruma shmangu barazimin, ndërsa Imobile e mbylli me penallti
Tri ndeshje, tre 2-0 radhazi dhe 9 pikë të plota. Nuk kishte se si ta niste më mirë aventurën e saj kjo Itali e Roberto Mançinit drejt “Katar 2022”, ndonëse fitoret kundër Irlandës së Veriut, Bullgarisë dhe Lituanisë dhanë tri mesazhe të ndryshme. Nëse të kaltrit kishin bindur totalisht në ndeshjen e parë, kthjelltësia dhe shkëlqimi mungoi jo pak në dy daljet e fundit, pavarësisht rezultatit të pastër 2-0. Pjesa e parë dje ishte më shumë sesa thjesht mediokre, ndërsa në të dytën teknika bëri diferencën, ndonëse ajo që bie në sy janë shumë raste të pastra për shënim të shpërdoruara. Pikë së pari nga një Imobile që duket se ka humbur totalisht shënjestrën dhe zjarrin që e karakterizonte, pasi për “Këpucën e Artë” të Europës së sezonit të kaluar nuk mund të mjaftojë goditja saktë e një penalltie në minutën e 94-t ndaj Lituanisë, për të qenë i kënaqur. Madje, nëse dje nuk do të kishte qenë për një pritje që është pak ta quash të një tjetër planeti nga Xhanluixhi Donaruma, Italia do të ishte kthyer në shtëpi jo me më shumë se një barazim. Prandaj, Mançini duhet të nisë të mbajë saktë shënimet dhe deri në shtator të ketë gjetur zgjidhjen e problemit.
GOLAT – Pjesa e parë për
Italinë rrjedh pa shkëndija, ndoshta edhe si rrjedhojë e rrotacionit shumë të gjerë të Mançinit. I vetmi rrezik ishte asisti i Pesinës për El Sharauin, me këtë të fundit që gabon në mënyrë flagrante dhe me të drejtë, në fillimin e pjesës së dytë si sulmuesi i Romës, ashtu sikurse shoku i tij i skuadrës, Pelegrini, i ka
lënë vendin Kiezës dhe Sensit. Dhe këto zëvendësime ishin ato që bënë diferencën, duke qenë se kaluan vetëm dy minuta nga zbritja e tyre në fushë dhe fantazisti i Interit, me një goditje “të pistë” nga jashtë zone tund rrjetën. 1-0 për Italinë, por frika shtohet kur Imobile gabon tre gola gjysmë të bërë, të cilët tregojnë
mbrëmjen e tij të errët. Lituani fiton kurajo, por nëse Donaruma vë dorezat e tij duke shmangur një barazim të pabesueshëm, ishte Kieza në minutën e 93-të që fiton penalltinë, e cila mbyll telashet për “Axurrët”, pasi Imobile godet saktë në rrjetë nga 11metrat dhe çon Italinë në krye të Grupit C.