UEFA hap stadiumet, në Shqipëri nami bëhet jashtë
Impiantet në vendit tonë të kyçura, por lejohen... tubimet
UEFA merr një hap të rëndësishëm për të rikthyer futbollin drejt normalitetit pas ndikimit nga pandemia COVID-19. Dje, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-S, që u zhvillua përmes videokonferencës, u vendos që stadiumet të jenë të hapura dhe të hiqet kufizimi i pjesëmarrjes për tifozët, që ishte në masën 30 % që prej 1 tetorit 2020. Në njoftimin që bëri edhe vetë FSHF-JA, duke qenë se presidenti Armand Duka është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-S dhe nga grumbullimi i Kombëtares në San Marino mori pjesë në këtë mbledhje “online”, u dhanë edhe detaje të tjera për vendimet që mori qeveria e futbollit europian. Mirëpo, në një kohë që UEFA hap stadiumet, në Shqipëri nami bëhet jashtë dyerve të impianteve. Çuditërisht lejohen tubimet, por nga ana tjetër, autoritetet shtetërore shqiptare kanë hezituar që të lejojnë praninë e spektatorëve në stadiume qoftë edhe në një numër të kufizuar. FSHF-JA bëri një kërkesë për hapjen 30 % të stadiumit për ndeshjen eliminatore Shqipëri-angli (28 mars), por sërish u refuzua, ndërkohë që vetëm pak ditë më pas vjen edhe vendimi i UEFA-S, që hap stadiumet për rikthimin futbollin në normalitet. VENDIMET
Në mbledhjen e djeshme u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë impakt të menjëhershëm në futbollin europian. UEFA sqaroi se për pranimin e spektatorëve në stadiume, vendimi për pjesëmarrjen totale të lejuar do të jetë nën përgjegjësinë ekskluzive të autoriteteve përkatëse,
lokale ose kombëtare. Në këtë vendim është ndaluar shpërndarja e biletave ose ftesave për tifozët udhëtues deri para finaleve të garave për klube të UEFA-S që do të zhvillohen në maj 2021. Në të njëjtën kohë do të hiqet ndalimi për spektatorët që marrin pjesë në ndeshjet e futsallit. Një pikë tjetër e rëndësishme ishte zgjatja e afatit për rregullin e pesë zëvendësimeve në një ndeshje, pas konfirmimit që ka dhënë FIFA më 1 tetor 2020. Ky rregull do të zbatohet gjithashtu në ndeshjet kualifikuese 2020-2022 për Kupën e Botës. Në këtë ndryshim përfshihet edhe UEFA Euro 2020 Qershor/korrik 2021, finalet e UEFA Nation League në tetor 2021 dhe ndeshjet e “Play off”-it të UEFA Nations League në mars 2022.