Gava: Me këtë ritëm, “zbrazim” arkën e bashkisë dhe donatorëve
Përgjigjet Gramoz Toto: Ju vetëm fitoni, premiot s’do mungojnë
Drejtuesit mbajnë faljen, shpërndajnë premion. Lojtarët kanë mbushur “xhepat” pas fitores me Egnatian. Titullarëve u janë akorduar 150 mijë lekë secili nga ana e bashkisë dhe 100 të tjera kanë ardhur prej donatorit. Pa gjë nuk kanë mbetur edhe të tjerët, ndonëse kanë marrë diçka më pak.
GAVA - Orgest Gava mendon se tashmë kanë një motiv më shumë për të luajtur dhe fituar. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës nuk ngurron që të lëshojë edhe një batutë për drejtuesit. “Ecuria e fazës së dytë po na çdo drejt kreut të grupit. Nuk kemi pse të mos e tentojmë ngjitjen, derisa jemi 2 pikë larg. Faza e tretë është përcaktuese dhe jemi gati për të luajtur gjithçka për gjithçka. Tani kemi edhe një motiv plus, premiot. Drejtuesit e mbajtën fjalën dhe në emër të skuadrës dua t’i falënderoj. Janë jo vetëm të angazhuar, por edhe tejet serioz në të gjitha plotësimin e detyrimeve ndaj skuadrës. Me pak humor dua t’i them edhe në emër të shokëve të skuadrës presidentit tonë se me këtë ecuri dhe seri fitoresh që po shfaqim, kam frikë se deri në fund të kampionatit do t’ua zbrazim ‘arkën’ bashkisë dhe donatorëve, pasi ngjitja është një objektiv më se i realizueshëm”, ka mbyllur duke buzëqeshur 31-vjeçari.
TOTO - Klubi nuk ka në plan që ta lërë me kaq, pasi çdo fitore deri në finish do të shpërblehet. Këtë gjë e pohon edhe vetë Gramoz Toto, gjatë një deklarate për gazetën. Ai nuk ngurron që t’i kthejë edhe një përgjigje mesfushorit elbasanas, kur thotë: “Skuadra mjafton të realizojë ngjitjen, për të tjerat të mos merakoset. Ashtu siç kemi qenë shumë korrektë në likuidimin e rrogave, do të jemi edhe me premiot që do të vazhdojnë gjatë gjithë fazës së tretë. Është shumë e rëndësishme që qytetarëve të Beratit t’ua japim këtë kënaqësi të rikthimit në elitë, pasi unë dhe grupi i donatorëve nuk do kursehemi aspak në shpenzimet plus”. EDI SPAHIU