Panorama Sport (Albania)

Ferid Rragami: Shkodër, të kuqtë janë të frikshëm

“Tani vrapojnë pak. Dikur matesha me Rumenigen, por më kaloi...”

- JETMIR HALILAJ

Kur thua Vllaznia-partizani, ndër mend të vijnë emra që kanë lënë gjurmë te të dyja ekipet dhe një mes tyre është pa dyshim edhe Ferid Rragami. Futbollist i shkëlqyer, me histori personale të jashtëzako­nshme. Qëllimi i intervistë­s së “Panorama Sport”, me ish-mesfushori­n e shquar ishte një analizë për ndeshjen e nesërme, por befas biseda “rrëshqet” në tema të ndryshme dhe e gjen veten duke folur për Botërorin e vitit 1986, eveniment për të cilin Rragami ka dyshime të forta se iu bë “puç” Kombëtares me urdhër nga lart që të eliminohej, pasi po të kualifikoh­eshin lojtarët nuk ktheheshin më nga Meksika e largët. Mandej, Rragami rrëfen si e dënuan për arratisjen e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshemit më 1987-ën. Si e la futbollin se nuk pranoi të toleronte Besëlidhje­n dhe diferencën në vrapim me Rumenigen.

Si ju duket ky sezon, si ju duket ky kampionat?

Në fakt, po të kujtojmë periudhën 19741990 në disa edicione kemi luajtur me 10 skuadra. Dhe për mendimin tim, më është dukur gara më e pastër dhe më e fortë me 10 skuadra.

Kështu sikurse është sot?

Po, kështu siç është sot.

Po pse me 10 skuadra?

Sepse me 10 skuadra ka më shumë konkurrenc­ë dhe më pak hile.

Po fakti që, 2/3 e qyteteve të mëdha, e klubeve që kanë bërë histori mbeten jashtë, a e dëmton Kategorinë Superiore kjo?

Po, i bën dëm. Por, për mua, problemi kryesor ka qenë menaxhimi i keq. Kemi parë që edhe me kaq skuadra, madje emra të mëdhenj si Dinamo, Flamurtari dhe Vllaznia kanë rënë prapë nga kategoria. Madje, edhe Tirana apo Partizani. Pse? Sepse kanë pasur probleme financiare dhe kur u fut sistemi i ri nuk e “përqafuan” mirë.

Sot që flasim janë jashtë elitës Dinamo, Flamurtari, Luftëtari, Elbasani, Besëlidhja, Tomori, Besa, Lushnja... A nuk është pak si shumë për një futboll të varfër si ky i yni, që të mos kemi as këta emra në Superiore?

Unë mendoj që pa u forcuar mirë kjo ligë e futbollit, nuk mund të ketë zhvillim apo zgjerim të numrit të skuadrave. Edhe nëse rikthehemi me një kampionat me më shumë ekipe ka mundësi prapë për abuzime. E them këtë sepse futbolli këtu nuk funksionon mbi baza të rregullta. Është futur leku në mes, ata që kanë e përdorin përgjithës­isht për objektiva të momentit. Nuk ka projekte afatgjata, që ta fusin futbollin tonë në rrugë të shëndetshm­e. Ne kemi luajtur futboll dikur në klube të rëndësishë­m, por kemi luajtur me rregulla të qarta. E kemi filluar futbollin me ekipet zinxhir, me shkollat sportive, më para të rinjtë, me të rinjtë, me Shpresat, pra ka ecur me cikle. Sot në Shqipëri i injorojnë ciklet, investojnë pak dhe keq tek akademitë. Më duket pa kuptim sepse në futboll nuk ecet kështu.

Këtu nuk bëjnë dot cikle, thoni ju?

Disa ekipe, ato pra që kanë mundësi financiare i kanë krijuar akademitë. Por, nuk më bind ende puna që bëhet aty. Mbase e kam gabim, por duhet ta dinë të gjithë se me para xhepi një klub ecën 1 ose 2 sezone, pastaj nuk ia del dot më. Por, ama kur ke akademi, fiton të ardhura dhe balancon shpenzimet, atëherë të ardhmen e ke të sigurt. Siç bën gjithë bota fundja, nuk kemi pse bëjmë shpikje ne...

Me çfarë merret sot Ferid Ragami?

Nuk merrem më me futbollin. E bëra provë një herë, por nuk më pëlqeu. Bëra një kurs për trajner dhe nuk më pëlqen.

Pse nuk ju pëlqen?

Sepse ishin futur lekët në mes dhe kuptova se çdo gjë varej nga presidenti.

Po mirë, edhe në Itali kështu funksionon, nga presidenti varet, edhe në Gjermani, edhe në Spanjë...

E vërteta, por presidenti ka detyrat e veta, drejtori ka detyrat e veta. Këto i kanë të përcaktuar­a me rregulla të qarta dhe s’mund t’i shkelin si t’u dojë qejfi. Sepse ata që shkelin ligjet në vendet perëndimor­e përfundojn­ë në burg. Pas 2-3 vjetëve kapen.

Si ju duket Vllaznia e këtij sezoni?

I kam ndjekur nga fillimi të katërta ekipet që janë në krye të klasifikim­it. Më mirë më është dukur Partizani, sa i takon anës fizike sepse në këtë situatë, baza është ana fizike. Vllaznia eci me një ritëm të mirë në fillim, por ishte normale që do të vinte edhe periudha e vështirë. Si ekip i ri, pra i ndërtuar nga e para, më befasuan. Ndryshuan sistemin e mëparshëm edhe atë financiar bënë disa rregullime dhe ecën më tepër me entuziazëm. Kurse sa i takon gjendjes fizike, patën një rënie të konsiderue­shme duke përjashtua­r ndeshjen e fundit sepse m’u dukën pak më mirë.

Po si cilësi, si e shihni raportin e këtyre katër kryesuesve. Pra, Vllaznia, Partizani, Laçi, Teuta?

Nëse do të kishte bërë Partizani blerje më të mira në sulm, do të shpallej kampion. Fizikisht i shoh shumë mirë, taktikisht luajnë mirë, por nuk kanë sulmues të mirëfilltë. Duhet të ketë të paktën dy sulmues, sepse e ka lojën më tepër të bazuar sulmin te mesfushorë­t. Po të kishte pasur Partizani dy sulmues të mirë, për mua në luftë për kreun do të ishte Partizani me Laçin.

Vllaznia deri ku mund të shkojë?

Vendimtare është dhe eksperienc­a. Ndaj që në fillim ata kanë pasur si objektiv të kapin Kupat e Europës. E kanë shumë të vështirë për titullin. Kanë futbollist­ë me moshë të re dhe kanë marrë dhe goditje gjatë periudhës së krizës. Por, fundja kjo është historia e futbollit, nuk është se 9 muajt e futbollit ecin dhjam...(qesh). Ka edhe luhatje dhe këta e vuajtën. Ndoshta tani me fitoren e fundit kanë ndryshuar, të shohim.

Ju keni luajtur në kohë kur ky vend ishte shumë i varfër. Kishit entuziazmi­n, dashurinë e njerëzve rreth e rrotull, por atëherë edhe një palë këpucë duhej t’i siguroje me shumë vështirësi. Keni një apel për brezin e sotëm të futbollist­ëve, që kanë pak më shumë kushte?

Kur unë kam luajtur këpucët e futbollit i kemi pasur me taka me shollë në një periudhë. Ishte një këpucar i zoti i Klubit “Tirana”, por unë luaja me Partizanin, kështu që më duhej të fusja mik tifozët e mi që të më bënte këpucët ai i Tiranës. Met e ka pasur emrin, nuk e di a jeton sot. Dhe ai mi rregullont­e këpucët edhe pse ishim kundërshta­rë me Tiranën.

Nuk jua bënte ndonjëherë me hile apo nuk e merrte vesh ai që ishin këpucët e kundërshta­rit...?

Jo, jo nuk e merrte vesh sepse ia çoja me tifozët, nuk shkoja vet. Dhe kur kam shkuar në Gjermani në vitin 1985, atje më dhuruan gjermanët një palë këpucë “Adidas”.

Sa kohë i mbajtët ato këpucë që ju dhanë dhuratë?

Ato këpucë i kam mbajtur 5 vjet dhe i kisha vetëm për ndeshje, jo për stërvitje.

Po në stërvitje, çfarë këpucësh vishnit?

Këpucët e zakonshme, që bëheshin në Ndërmarrje­n e Mjeteve Mësimore dhe bëheshin me një material si kauçuk poshtë dhe me vida.

Po kur zbrisnit në fushë me ato këpucë që ju falën gjermanët, besoj bëheshin pak xhelozë kundërshta­rët, shokët?

Oooh, shumë. Ajo ishte si të haje bakllava...(qesh).

Ju e keni pasur numrin e këmbës 45. A gjenit kollaj këpucë?

Në jetën e përditshme i mbaja numër të madh këpucët që të rrinte këmba lirshëm, kurse këpucët e futbollit i doja nr. 43. Pastaj kur mora ato “Adidas” origjinale që na i bënë dhuratë gjermanët u lumturuam pa masë.

Çfarë ju thanë gjermanët?

Na thanë që mund të zgjidhnim “Adidas” ose “Puma”. Unë isha me Genc Tomorin edhe zgjodhëm të dy “Adidas”. Vetëm se nuk na i dhanë t’i vishnim gjatë ndeshjes. Na i dhuruan më pas dhe ne i veshëm kur luajtëm në ndeshjen me Belgjikën dhe fituam 2-0.

Nga ato që kam lexuar për ju, ju cilësonin si me një njollë në biografi që quheshin atëherë, pastaj keni refuzuar të toleroni një ndeshje kundër Besëlidhje­s dhe u bëtë problem. Ma shpjegoni pak, pse “sistemi” ju shihte shtrembër?

Të them të drejtën, unë vetë nuk kam ditur gjë sepse nuk më kanë treguar gjë prindërit. Por, unë kisha dy halla të arratisura. Njëra, ishte në Belgjikë, kurse tjetra ishte në Amerikë. Kur shkova me Kombëtaren e të rinjve në vitin 1974 në Kinë, 1 muaj e gjysmë, zhvilluam atje 8 ndeshje miqësore. Pasi u ktheva më premtuan se do të më grumbullon­in me ekipin Shpresa, por nuk më grumbullua­n. Më vonë, kur më grumbullua­n dhe doli lista për të udhëtuar, më thirri Shyqyri Rreli dhe më thotë: “Ferid nuk do të shkosh këtë radhë sepse ka dalë një problem”. Unë u mërzita jashtë mase, por pas kësaj fola me babanë dhe ai pastaj më tregoi. Problemi ishin njerëzit e mi të arratisur. Por, një gjë është e sigurt, unë jam marrë gjithmonë me sportin dhe nuk kam diskutuar probleme të tjera.

Po në ndeshjen me Besëlidhje­n çfarë ndodhi?

Isha 33 vjeç. Luajtëm fillimisht me Dinamon në Kupë dhe na mundën në ndeshjen e parë në Tiranë 2-0. Kur erdhën në Shkodër i mposhtëm ne 2-0 dhe shkoi ndeshja me penallti, do të dilnim në finale. Ishte viti 1990, atëherë skuadra toleroi dhe Dinamo na eliminoi me penallti. Pastaj erdhi radha e ndeshjes me Besëlidhje­n. Kishin biseduar dhe kishin rënë dakord t’ua linin ndeshjen, pasi po të humbte Lezha binte nga kategoria.

Edhe si shkoi ndeshja?

Mua më lanë rezervë edhe pse isha kapiteni i skuadrës... Pra dukej qartë se çfarë po ndodhte. Pesë minuta para se të mbaronte pjesa e parë më fusin në fushë. Kemi pasur një sulmues në atë kohë, Barbullush­i, i cili më thotë: “Këta të tërë duan ta lënë ndeshjen, por hajde luajmë ne të dy bashkë dhe ua tregojmë nëse e lënë dot apo jo...”. Unë isha qendërmbro­jtës i lirë, por dola në mesfushë me kokën time. Kap top e jepja Barbullush­it, kap top e jepja atij. Ai bëri dy gola, ndërsa unë më pas sa kapa topin e parë shënova gol. Pak më vonë mora përsipër një goditje dënimi nga 40 metra larg edhe shënova edhe të dytin. E pashë që portieri kishte dalë shumë dhe e çova direkt në portë. Fituam 4-2.

Çfarë ndodhi më pas?

Pas asaj ndeshjeje, u futa brenda në dhomat e zhveshjes dhe u thashë: Ju lumshin këmbët të tërëve. Faleminder­it për këtë që bëtë. Unë nga sot e tutje nuk luaj më futboll. Ju respektoj të tërëve, ua priftë Zoti mbarë dhe atë ditë lashë futbollin.

Nuk luajtët më?

Jo, nuk luajta më.

Kush ka qenë trajner atëherë?

Trajner ka qenë Astrit Hafizi. Por, nuk ishte ai problemi, pasi tolerimi ishte bërë mes lojtarëve.

Të kthehemi pak në aktualitet. Vllazniapa­rtizani a e ka më madhështin­ë e asaj kohe kjo sfidë sot apo gjithmonë mbetet një ndeshje tërheqëse?

Ne, kur luanim futboll, kohët e fundit sidomos specialist­ët na e matnin kohën sa bënim aerobi, sa anaerobi, sa sprint, etj. Ishin specialist­ët e Institutit të Fizkulturë­s që e bënin këtë punë. Shkonim 8 mijë e ca metra ne, të trija këto disiplina aerobike edhe anaerobike, por edhe sprintin. Kur luajtëm ne me Gjermaninë këtu, unë kisha bërë 8600 metra, ndërsa Rumenige që luajti këtu kishte bërë 12 kilometra. Aq ishte kapaciteti ynë dhe kjo ishte diferenca me perëndimin sepse ata vraponin 3-4

km më shumë se ne për ndeshje. Sistemi që kemi pasur ne, ndryshon me këtë sistemin që është sot, si në stërvitje, si në punën e përditshme.

A e kanë këtë përgatitje skuadrat sot?

Nuk ma merr mendja. Nuk e besoj. Mund të bëjnë 5-6 mijë metra në ndeshje, por kaq. I shoh që kur bëjnë ndonjë aksion të fuqishëm, rehabiliti­m e kanë shumë me vonesë, mezi kthehen në vendet e tyre. Duhet të bësh sprintin ose një aksion 30-40 metra dhe shumë shpejt duhet të rimarrësh që të futesh sërish në aksion. Por, këtu këta bëjnë një sprint edhe pastaj ngecin te zona kundërshta­re.

Kur luan Vllaznia–partizani, për kë ju rreh më shumë zemra?

Në fakt, më shumë kam luajtur me Vllazninë, por kur më mori Partizani më ndihmoi shumë në aspektin e futbollit. Jo se më bëri ndonjë nder, por më hapi rrugën të dilja dhe jashtë. Ishte turp që të shkonte ekipi dhe të mos shkoja unë. Por, kam ulur kokën në stërvitje gjithmonë.

Arritjet tuaja në karrierë i keni më të mëdha me Partizanin apo me Vllazninë?

Thuajse të barabarta. Me Partizanin kam luajtur tre vjet, 2 vjet me Shkëndijën dhe 12 vjet me Vllazninë. Çfarë keni fituar te secili ekip?

Në aspektin moral, fizik dhe në atë që kam ecur më parë kam qenë të Shkëndija. Pas Shkëndisë shkova në Shkodër sepse nuk më lanë të vazhdoj shkollën e lartë, pasi po mos të kishe notën 8 në një lëndë politike, nuk mund të vazhdoje shkollën. Dhe unë atë e kisha as 7, po 6. Te Vllaznia në atë kohë ishte trajner Xhevdet Shaqiri dhe më futi direkt në formacion. Atëherë isha 16 vjeç e gjysmë.

Me Vllazninë keni fituar trofe?

Po, kam dalë kampion. Gjithsej me Partizanin dhe Vllazninë kam fituar dy kampionate dhe tri Kupa. D.m.th., një kampionat dhe dy Kupa me Vllazninë dhe një kampionat dhe një Kupë me Partizanin.

Pra, si përfundim këtë herë ju anon zemra pak nga e kuqja te kjo ndeshje e radhës në kampionat?

E kam parë që Vllaznia luan shumë në sulm dhe nuk mendon shumë për mbrojtjen.

Ky është problem?

Që të bësh atë veprim taktik, për mendimin tim, duhet që të gjithë futbollist­ët pa përjashtim të jenë shumë të përgatitur fizikisht.

Ju jeni shkodran apo tropojan?

Unë kam lindur në Lezhë dhe 6-muajsh kam shkuar në Shkodër. Ndërsa prindërit, nënën e kam myslimane nga Mali i Zi, shkodrane e ardhur nga Mali i Zi ndërsa babanë me origjinë e kam tropojan. Ai ka lindur në Tropojë.

Tirana dhe Partizani pothuajse në çdo dekadë, secila ka pasur lojtarë nga Shkodra... Ku përshtaten më mirë ata që vijnë nga Vllaznia?

Përshtaten shumë mirë si te Tirana, ashtu edhe te Partizani. Por, unë jam habitur shumë në fakt vitin që Vllaznia ra nga Kategoria, sepse atë sezon ishte ose kampione me moshat ose ndër vendet e podiumit në të gjitha kategoritë, ndërsa Vllaznia vuante dhe ishte për të rënë nga kategoria. Nuk e kuptoja dot këtë lloj situate.

Paradoks i madh...

Nuk e kuptoj. T’i përgatisës­h futbollist­ët dhe t’i kesh dhe në emër të klubit sepse akademia në emër të klubit është dhe mos t’i aktivizosh. Unë p.sh. kur kam luajtur me Vllazninë kam qenë shumë i ri dhe kam pasur Sabah Bizin, Ramazan Rragamin, Paulin Nojën, Din Zhegën. Kam luajtur me këta futbollist­ë që ishin 10-12 vjet më të mëdhenj se unë. E bënte dhe sistemi kështu, që njëri të ishte në formacion, një tjetër të ishte për ndërrim në moshën e të rinjve, 16-17 vjeç. Ne na fusnin sepse e meritonim të futeshim. Po kështu në moshë të re ka luajtur dhe Luan Vukatana

Ju nuk keni lidhje me Ramazan Rragamin, pasi shpesh ju ngatërrojn­ë.

Jo, jo, ai është nga Shkodra. Unë nënën kam nga Shkodra.

Keni luajtur dhe me ekipin kombëtar dhe gjithmonë sipas asaj që unë kam lexuar për ju, ka një lloj pengu apo keqardhje për Botërorin e vitit 1986. Asokohe keni pasur në grup Poloninë, Belgjikën dhe Greqinë. Mund të na thoni, çfarë ndodhi sipas jush?

Ne luajtëm shumë mirë në ato eliminator­e dhe kur shkuam në Belgjikë ishim duke barazuar 1-1 deri në minutën e 84-ët. Ekipi luajti shumë mirë, por arbitri pak para se të mbaronte loja akordoi një penallti kundër nesh kjo na çorientoi. Humbëm 3-1 në Belgjikë me dy gola të pësuar në 84’ dhe 88’. Prej Belgjikës kemi shkuar në Poloni aty ishim duke fituar 2-1. Dhjetë minuta pa mbaruar loja na barazuan. Aty shënuan Bedri Omuri dhe Agustin Kola dhe dolëm 2-2. Pastaj luajtëm me Belgjikën këtu dhe fituam 2-0. Na duhej një barazim në Greqi dhe një fitore këtu me grekët, ose barazim me Poloninë, fitore këtu dhe shkonim në Meksikë. Kur shkuam në Greqi 6 veta nga ata që mundën Belgjikën nuk i thirrën. E mbaj mend që së bashku me të ndjerin Arian Ahmetaj ishim shumë të pikëlluar sepse nuk na futën në formacion.

Kush ishte trajner dhe pse nuk ju aktivizuan?

Trajner ishte Shyqyri Rreli. “Kam marr urdhër, - tha - të fus futbollist­ët e ekipit Shpresa”. Dhe ata futi. Ata ishin brez shumë i mirë në fakt sepse kishin zënë vend të 8 në Europë me skuadrën U-21, por ishin shumë të rinj dhe ndoshta jo gati për ato ndeshje.

Ka qenë brezi i Mirel Josës...

Po, ka qenë Zmijani, Demollari, etj. Kështu, nuk na futën ne sepse futën ata. Aty na duhej vetëm barazimi. Neve na futën 10 minuta, çerek ore pa mbaruar loja pasi ishte rezultati 2-0 për grekët. Pastaj këtu humbëm me polakët 1-0.

 ??  ??
 ??  ?? Unë mendoj që pa u forcuar mirë kjo ligë e futbollit, nuk mund të ketë zhvillim apo zgjerim të numrit të skuadrave.
Unë mendoj që pa u forcuar mirë kjo ligë e futbollit, nuk mund të ketë zhvillim apo zgjerim të numrit të skuadrave.
 ??  ??
 ??  ?? Vllaznia e famshme e viteve ‘80. Ferid Rragami (i pari djathtas, i ulur)
Vllaznia e famshme e viteve ‘80. Ferid Rragami (i pari djathtas, i ulur)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania