RREGULLORJA PËR KUPAT E EUROPËS DHE “PLAY OUT”
Klubet e futbollit të cilat do të fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në garat e organizuara nga UEFA, do të përcaktohen si më poshtë:
a) klubi që shpallet kampion për Kategorinë Superiore në sezonin 2020-2021, do të marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Kampioneve;
b) klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;
c) klubet që renditen në vendet 2 dhe 3 në klasifikimin përfundimtar të Kategorisë Superiore do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;
d) nëse klubi i shpallur kampion i Superiores fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;
e) nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose të tretë, fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;
f) nëse skuadra e shpallur kampione, fiton njëkohësisht edhe Kupën dhe nëse skuadra finaliste e Kupës është e renditur në vendet 2 dhe 3, atëhere skuadra e renditur në vendin e 4-t, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës;
* Ndeshja “play-out”: ekipet që e mbyllin kampionatin e Kategorisë së Parë në vendet e dyta të grupeve A dhe B, do të luajnë një ndeshje finale mes tyre për të përcaktuar skuadrën fituese që do të përballet më pas me vendin e tetë të Kategorisë Superiore. Ndeshja mes të dytës më të mirë të Kategorisë së Parë dhe vendit të tetë në Superiore do të zhvillohet në stadiumin e skuadrës së vendit të tetë. Kjo do të përcaktojë klubin që do të jetë pjesë e elitës në sezonin 2021-2022.