Panorama Sport (Albania)

Laçi-vllaznia pa shënjestër, “asist” për rivalet e titullit

Kuqeblutë marrin pikën e parë ndaj kurbinasve

-

Është mbyllur në barazim pa gola takimi mes Laçit dhe Vllaznisë. Pavarësish­t lojës së bukur dhe ritmit të kënaqshëm, në fund të dyja skuadrat ndalën njëratjetr­ën, teksa kuqeblutë zbresin të dytët me 2 pikë më pak se Teuta dhe kurbinasit në vend të katërt, dy më pak se Partizani. Ishte pika e parë që Vllaznia i merr Laçit këtë sezon.

PJESA E PARË - Shkodranët ishin më kërkues në pjesën e parë, duke prodhuar të paktën 3 raste të rrezikshme. Në të dytën minutë, me anë të Sisesë, miqtë patën mundësi të mirë shënimi. Më pas të dyja skuadrat luftojnë fort në mesfushë dhe tentojnë të ndërtojnë aksione të rrjedhshme. Në të 8-ën Mazrekaj harkon nga e majta drejt zonës, por direkt në duart e Zogoviçit. Laçi vuan në 25 minutat e para, me shkodranët dominues në lojë duke kërkuar me më tepër ngulm golin. Në të 11-ën, pas harkimit nga këndi, mbrojtësi Adili godet me kokë, por topi shkon ngjitur me traversën e portës së mbrojtur nga Sherri. Sërish Vllaznia në sulm, Shehi godet me kokë brenda zonës, por pret Sherri. Tjetër shans për Vllazninë shënohet në të 25-ën minutë dhe është sërish Shehi, pas harkimit nga e djathta që godet me kokë, por mbrojtësi nuk koordinohe­t siç duhet, jashtë kuadratit. Vendësit kërkojnë me Harmon që në të 26-të minutë pretendon për penallti pas duelit me Adilin, por për gjyqtarin, gjithçka e rregullt. Tentativa e parë e rrezikshme në portën e Zogoviç shënohet në të 28-tën minutë, me Harmon që provon në hyrje të zonës me të djathtën, por i vëmendshëm Zogoviç që pret gjuajtjen e sulmuesit të Laçit. PJESA E DYTË – Ky fraksion ka qenë më i mirë për vendësit. Lushkja jep sinjalin e parë të rrezikshëm, por tentativa e tij shkon jashtë. Në minutën e 53të Harmon ka një mundësi të mirë për vendësit, por goditja e tij në gjysmëkthe­së përfundon pak mbi tranversë. Një tjetër mundësi e mirë për Laçin në minutën 64-të me Mazrekajn që kalon bukur dy fanella të miqve dhe godet, por topi ndalet nga portieri Zogoviç. Laçi shton ofensivën dhe Xhixha futet bukur në zonë, por gjuajtja e tij ishte e lehtë dhe pa probleme për Zogoviçin. Vllaznia mund të kishte shënuar në të 81-ën minutë. Mundësi mjaft e mirë për miqtë, por Isaevski nuk kombinon siç duhet brenda zonës me Ardit Hoxhajn i cili nuk arrin të devijojë pasimin e mbrojtësit të majtë. Në vazhdim të aksionit shkodranët kërkojnë 11-metërsh, pas rrëzimit të Da Silvës brenda zonës, por gjyqtari akordon faull në sulm. Minutat në vijim kanë qenë një dialog i vazhdueshë­m i të dyja ekipeve në mesin e fushës deri në përfundim me rrjeta të bardha, 0-0.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania