Panorama Sport (Albania)

Partizani shkërmoq Tiranën edhe në aktin e dytë

-

Partizani e ka shkërmoqur Tiranën edhe në finalen e dytë të vlefshme për kampionati­n kombëtar të volejbolli­t për femra. Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në sallën “Feti Borova”, të kuqet dhuruan një tjetër paraqitje fantastike duke e dominuar totalisht derbin. Skuadra e Andi Lundrës arriti të triumfonte me rezultatin e pastër 3-0 edhe në finalen e dytë dhe tashmë vetëm një fitore e ndan nga titulli kampion. Ashtu sikurse finalja e parë edhe takimi i dytë ishte me sens unik, pasi Partizani dominoi në çdo aspekt, ndërsa Tirana u shfaq e pafuqishme dhe nuk mundi që t’i përgjigjej nivelit të kundërshta­rit. Të kuqet u futën në parket më të vendosura, duke i interpretu­ar shumë më mirë detyrat si në fazën sulmuese ashtu edhe në atë mbrojtëse, për ta fituar setin e parë me rezultatin e thellë 2513. Në fraksionin e dytë diferencat ishin akoma më të mëdha, me Partizanin që triumfoi 25-8. Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenxa provuan të reagonin në setin e tretë. Ky fraksion loje pati shumë rivalitete, megjithatë kualiteti më i lartë i Partizanit e bëri përsëri diferencën. Të kuqet triumfuan 2522, duke vulosur fitoren 3-0 në një sfidë që zgjati 1 orë e 15 minuta. Sot në orën 18:00 skuadrat do të zbresin në parket për finalen e tretë, takim që do të zhvillohet në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Tirana do të kërkojë reagimin për ta rihapur serinë e finaleve, ndërsa Partizani në rast fitoreje do të shpallej kampion i Shqipërisë për herë të katërt në histori, duke kurorëzuar një sezon perfekt pas triumfit në Kupë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania