Tension në KOKSH, kandidati Biba: Po blihen vota 6 mijë euro
Kandidati për president të KOKSH, Martin Biba, akuzon se po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve në asamblenë e 17 prillit. Ish-presidenti i Mundjes thotë se qeveria po ndërhyn rëndë dhe se po shantazhohen votuesit! Me anë të një letre të postuar në faqen e tij në rrjetet sociale, Biba i ka bërë thirrje shumicës së anëtarëve të asamblesë që me votën e tyre ta ndryshojnë këtë situatë. Gjithashtu, ai shprehet se banda e Rilindjes ka ngritur celulën e presionit të blerjes së votës. REAGIMI I PLOTË I MARTIN BIBËS: “Gara për presidentin e KOKSH (Komiteti Olimpik Shqiptar) dhe organeve drejtuese më 17 prill 2021 akoma nuk dihet se ku do mbahet dhe në çfarë ore zhvillohet asambleja ‘e zakonshme’ zgjedhore. Një javë e ndan sportin tonë nga ‘zgjedhjet’ në organin më të lartë dhe të përfaqësimit në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’ të cilat mbahen në Japoni, korrikgusht 2021. Kam shkruar shpeshherë dhe jam prononcuar publikisht se KOKSH duhet të zgjidhë dhe të ndryshojë rrugën e greminës që ka marrë prej shumë vitesh dhe ja ku jemi: 1- Organizim i çorientuar i disa asambleve të jashtëligjshme dhe gjoja të ligjshme; 2- Asamble e zakonshme zgjedhore për organet e reja drejtuese të KOKSH një javë para zgjedhjeve politike në vend (17 prill 2021 KOKSH dhe më 25 prill 2021 politike); 3- Banda e ‘Rilindjes’ kandidon për president një deputet të sajin dhe ka ngritur celulën e ushtrimit të presionit të blerjes së votës, shantazhin me presionet politike të pushtetit, por edhe krimit të organizuar që tashmë e do dhe KOKSH-IN nën kontroll; 4- Presioni i mospranimit të mbi 20 federatave sportive si anëtare të asamblesë me të drejtë vote me motivin ‘mungesë dokumentacioni’ dhe mospagimin e kuotizacionit, pa i paralajmëruar dhe skualifikimin e një kandidati tjetër për president për mungesë dokumentacioni; 5Presidenti i shkarkuar vazhdon procedurat ligjore në gjykata dhe ka dërguar në prokurori për korrupsion gjysmën e këtyre organeve që organizojnë këtë asamble; 6- Asambleja do të zhvillohet një muaj mbasi u miratua statuti i KOKSH dhe i KVE (Komisioni i Vlerësimi të Etikës). Sa mund të zbatohet ky statut dhe KVE të funksionojë me eficiencë të plotë për një muaj kuptojeni vetë; 7- Vazhdon hilja dhe gracka burokratike për drejtuesit e federatave me shpresën e manipulimit të votës se me gjasë tani e kemi nën kontroll çdo gjë dhe nga ata të skualifikuarit ata që janë me ne (bandën e ‘Rilindjes’) do t’i lejojmë e ata që janë kundër nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, pra vetëm votat pro tyre; 8- Blerja e votave shkon nga 4 mijë euro deri 6 mijë euro sipas fjalëve dhe thashethemeve në ambientet parazgjedhore e parapolitike në KOKSH (kjo duhet vërtetuar se a do të ndodhë një natë parazgjedhjeve apo më parë), ‘Rilindja’ e ka zakon ta bëjë se nuk e ka për herë të parë. Unë jam kandidati për president i KOKSH dhe ju bëj thirrje duke besuar fort në shumicën dërrmuese të anëtarëve të asamblesë që me votën e tyre ta ndryshojnë këtë situatë dhe t’i dërgojnë në shpi ata që e kanë prurë KOKSH-IN në këtë situatë. Ju garantoj se kush do të përfshihet në këto pazare, nuk do të ketë vend më në KOKSHIN e të ardhmes! Pres me padurim që të punojmë së bashku për të mirën e federatave sportive dhe të olimpizmit shqiptar!”, shkruan Martin Biba në letrën e tij, disa ditë para zgjedhjeve në Komitetin Olimpik.