Bezhani: Qeveria po shkatërron Komitetin Olimpik
Viron Bezhani, presidenti i shkarkuar i KOKSH, ka reaguar sërish për procesin zgjedhor në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Me anë të një letre, Bezhani denoncon ndërhyrjet politike, që sipas tij, po bëhen në KOKSH. Ja çfarë shkruan ndër të tjera ish-kreu i Komitetit Olimpik në letrën e tij: “Konflikti i interesit është kryefjala e asamblesë zgjedhore 17 prill 2021. Për interesa politikë e personalë po luhet në mënyrë të paskrupullt dhe gjakftohtë me anëtarët e asamblesë së KOKSH, duke u hequr të drejtën e votës 23 federatave, ndër to edhe një nga federatat më të rëndësishme, siç është ajo e futbollit, me tendencë e pretekst përjashtues dhe dobësues të së drejtës së pjesëmarrjes dhe fuqisë së votës së anëtarëve. Jam këtu për të denoncuar skandalin e radhës që PS po bën në sport dhe konkretisht në KOKSH. Emisarë partiakë të Rilindjes në sport po shkatërrojnë organizimin dhe funksionimin e tij me qëllimin e qartë për të uzurpuar KOKSH dhe kthyer atë në repart politik të PS. Nga ana tjetër, individë, zyrtarë dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, ligjshmëria, etika dhe keq menaxhimi financiar në mandatin e tyre i kam çuar në Prokurori të denoncuara nga ana ime si presidenti i KOKSH. Ata luajnë këtë lojë numrash për t’u siguruar, që politika t’i mbrojë krahët nga shkeljet e tyre, të cilat ligji do t’i zbardhë në kohë, edhe pse përpjekjet akrobatike për të përfituar në zgjedhje të bëra me ngut, tregojnë qartë se sa mungesë etike dhe konsiderate ka institucioni Kombëtar i Lëvizjes Olimpike në Shqipëri. Duke përdorur kërcënime dhe shantazhe ndaj federatave me bllokime fondesh, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthore, i ka detyruar që të shkatërrojnë asamblenë zgjedhore.
Fidel Ylli që kandidon njëkohësisht për deputet, por edhe president i KOKSH, si një ligjvënës, është përgjegjësi i kësaj situate. Në vend që të kërkojmë të zbatohet ligji nga ky ligjvënës, përkundrazi shkelet me të dyja këmbët. Zyrtarët e KOKSH që janë pjesë e kësaj maskarade dhe loje makinacionesh nuk janë më pak, pasi më minimalja që mund të bënin është njoftimi i federatave për mangësi dokumentacioni dhe jo t’i linin deri në ditët e fundit, duke i përjashtuar. Ky është me të vërtetë një veprim mjaft i turpshëm i këtyre zyrtarëve në thonjëza, të cilët po e turpërojnë jo vetëm sportin, por edhe Shqipërinë”, shkruan Bezhani në deklaratën e tij.