Panorama Sport (Albania)

Gjashtë gjërat që mësoi Anglia në “Wembley”

-

Një paraqitje historike e përgatitur prej dekadash, por më në fund Anglia e mposhti Gjermaninë në një turne të rëndësishë­m dhe e bëri bindshëm. Pavarësish­t se Sauthgejt u kritikua se u tregua inferior, duke e përshtatur skemën me skuadrën e Lëvit, plani i tij funksionoi dhe “Luanët” konfirmuan 6 gjëra të martën në “Wembley”.

1. Anglezët pritën 55 vite për ta mundur Gjermaninë në ndeshjet me eliminim direkt. Ata e treguan durimin e tyre edhe në fushë. Ndërsa minutat kalonin, kur nuk kishte mundësi për të sulmuar, topi kthehej me ngadalësi deri te mbrojtësit. Pritën 75 minuta për ta goditur Gjermaninë dhe me rastin e parë të vërtetë nuk falën. Pikërisht atë që nuk bëri dot Gjermania.

2. Goli i dytë ishte i ngjashëm me ato shpërthime­t e Liverpulit prej kundërpres­ingut që ushtron skuadra e Klopit. Anglia nuk bëri kurrë presing agresiv për periudha të gjata, por ajo që bëri Shou, i cili i vodhi topin Gësensit, ishte një model i golave që shohim shpesh te “Reds”-at.

3. Tetë lojtarë defensivë dhe 3 sulmues, ishte reagimi i parë për formacioni­n e Sauthgejti­t. Ai sakrifikoi fantazinë në mesfushë për të forcuar krahët dhe plani funksionoi. Tripier dhe Shou bllokuan Kimishin dhe Gësensin, dy armët më të rrezikshme të Lëvit.

4. Rreziku që vjen nga Haverc janë ato hapësirat e ngushta mes mbrojtjes dhe mesfushës, në të cilat ai depërton. Por, Meguajër i qëndroi pranë dhe sa herë ai tentonte për t’u larguar për të gjetur hapësirë, lojtari më i mirë i ndeshjes dukej sikur kishte instaluar magnet në këmbë.

5. Gjermania e testoi rrallë Anglinë. Krosimet që vinin nga krahët nuk u bënë kurrë të rrezikshëm. Stons dhe Meguajër kontrollua­n gjithçka. Kishte pak penetrim dhe vetëm dy herë shpëtuan Verner dhe Gorecka, edhe pse shansin më të mirë e pati Myler. Ndoshta mungoi shpejtësia e Gnabrisë.

6. Me rreshtimin e Anglisë, pak shanse kishte që skuadra të krijonte në qendër dhe rreziku do të vinte nga krahët, me krosime dhe goditjet standarde. Sauthgejt riktheu Tripierin për këtë mision të veçantë dhe loja e Anglisë me “topat e vdekur” u përmirësua ndjeshëm. Dhjetëra topa në zonë për Kejnin, të cilin Humels e markoi mirë, por raste për të shënuar edhe për Meguajërin nga krosimet që vinin nga Tripier.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania