Panorama Sport (Albania)

Pse Hansi Flik është i duhuri për “Pancerat”

Ish-kapiteni skanon trajnerin e ri të kombëtares

- Nga LOTAR MATEUS

Hansi Flik dhe unë njihemi prej 36 vitesh. Atëherë ishim lojtarë të Bajernit, tani jemi shokë. Kemi kaluar tri vite në Mynih së bashku, më pas ishim të dy trajnerë në Salcburg, kemi përjetuar shumë së bashku. Telefonojm­ë njëri-tjetrin shpesh dhe pushimet i kemi bërë bashkë. Bisedojmë së bashku jo vetëm për futboll, por edhe për familjet dhe jetën në tërësi.

Në ndeshjen e fundit në Mynih ndaj Hungarisë unë ndodhesha me Hansin dhe bashkëshor­ten e tij, Silke, në një vend. Të dy ata ishin shumë të rrëmbyer nga ndeshja dhe ishte e vështirë të kuptoje nëse ishin tifozë apo ishte trajneri i ardhshëm i Gjermanisë dhe gruaja e tij. Kjo tregon që zemra e tij ka nisur të rrahë për kombëtaren. Gjatë ndeshjes nuk munguan diskutimet të tipit: Kimish më mirë në qendër? Duhet të ishte Musiala nga fillimi? Më mirë me tre apo katër mbrojtës? Këto dhe shumë pyetje të tjera u diskutuan me trajnerin e ardhshëm.

Jam i bindur që e gjithë Gjermania mezi po pret trajnerin e ri. Ai ka Cv-në e jetës shumë të lexueshme dhe në fund dy vite të magjishme me Bajernin ku fitoi të gjithë trofetë e mundshëm. Hansi është njeriu që edhe jashtë fushe mendon se si të ngrejë moralin dhe të rrisë atmosferën në skuadër. DFB-JA nuk ka nevojë vetëm për një trajner në fushë që të bëjë taktikat, por edhe për dikë që e bën punën me dashuri, përkushtim dhe jo arrogancë. Nëse me këtë dua të them që Lëv ishte i tillë? Jo.

Por mos prisni që Flik të jetë Mesia dhe të zgjidhë problemet me një të rënë të shkopit. Gjermania duhet të bëhet edhe një herë tjetër një skuadër e bashkuar, dhe Hansi di ta bëjë këtë gjë. Ishte një nga vendimet më të sakta të DFB-SË për të zgjedhur atë, ai njeh mirë ambientin dhe Këpken, Sorgun dhe Birhofin. Ky i fundit duhet të vihet në dyshim për pozicionin që ka. Sa herë gjërat nuk shkonin mirë, Birhof fliste vetëm për Lëvin. Pse jo për të? Kandidatë për Birhofin ka shumë duke nisur nga Shtefan Kunz, Ralf Rangnkik ose unë. Flik në krahun tjetër njeh shumë mirë çdo lojtar, sidomos ata të Bajernit me të cilët shkroi historinë. Skema që Flik do të përdorë me Gjermaninë do të jetë 4-2-3-1. Ky sistem loje i bëri bavarezët të pathyeshëm, të fortë dhe të bukur për t’u parë në fushë. Hansi e ka këtë avantazh, ta nisë punën jo nga zeroja. Ku gaboi Lëv? Në gjithçka që pas Botërorit 2014. Mendoj që ai ishte kulmi për të dhe për atë çfarë ai kishte krijuar para atij turneu. Ishte fundi i një cikli i cili do të kishte nisur sërish dhe tani nuk do të ishim në këtë situatë. Kjo nuk ka të bëjë me humbjen në “Wembley” pasi ajo mund të ndodhte dhe për shumë arsye të tjera dhe nëse do të ishte Flik. Por, Gjermania realisht nuk duhet të ishte fare në “Wembley” pasi Hungaria e eliminoi atë psikologji­kisht në sfidën e fundit. Në fund një falënderim për Jogin, i cili gjithashtu mbetet një mik imi. Falë tij jemi me katër yje!

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania