Ribaj: E përjetova keq rënien, rri me një kusht te Flamurtari
Rrëfimi i kapitenit: Duhet të bënim më shumë
Rrëzimi i Flamurtarit në Kategorinë e Dytë ka shkaktuar ndjesi negative në të gjithë opinionin sportiv, por më së shumti te futbollistët. Andi Ribaj është një nga ata që e ka vuajtur më së shumti këtë pjesë, duke marrë përsipër edhe përgjegjësitë personale për dështimin. Është një sulmues karriere, por mbi të gjitha ka karakter të ndjeshëm dhe burrëror. Pavarësisht se mundësitë dhe ofertat për të luajtur në elitë nuk i mungojnë, kapiteni është i gatshëm t’u qëndrojë besnik kuqezinjve edhe në këtë nivel inferior, por me kushtin që të ketë një projekt serioz për rikthimin e madh. I lindur në Vlorë dhe i rritur në Fier, 31-vjeçari nuk e fsheh shqetësimin dhe dashurinë për të dyja skuadrat respektive, Flamurtarin dhe Apoloninë, e shprehur edhe në intervistën e tij ekskluzive për “Panorama Sport”.
Flamurtari për herë të parë ra në Kategorinë e Dytë. Çfarë përjetoi kapiteni pas këtij verdikti?
Ka qenë një sezon shumë i vështirë për të gjithë së bashku, me fundin më të keq dhe më të padëshiruar të mundshëm. E kam përjetuar shumë keq dhe mendja ime është akoma tek ajo ndeshje me Tërbunin. Si kapiten i ekipit dhe si lojtar me eksperiencë, mua më bie më shumë përgjegjësia dhe e kam kaluar keq këtë situatë.
Sipas gjykimit tuaj, pse dështoi Flamurtari?
Mund të ketë një sërë faktorësh dhe kjo gjë kërkon një analizë të hollësishme dhe të sinqertë, ku secili duhet të pranojë dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Ishte një grup me lojtarë të rinj, të ardhur nga akademia dhe ata patën nevojë për më shumë kohë përshtatjeje në ekipin e parë. Vetëm unë dhe Moçka qemë lojtarë me përvojë dhe, me një skuadër tërësisht të re, me futbollistë as 20 vjeç, ka qenë e vështirë. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, duhet të kishim bërë më shumë, në mënyrë që ekipi të mos binte nga Kategoria.
Flamurtari, Elbasani, Luftëtari, tri skuadra tradite në historikun e elitës së futbollit shqiptar, tashmë në nivelet më të pamendueshme dhe në gjendje jo fort optimiste. Pse këto situata?
Unë nuk mund ta gjej dot pse-në e këtyre situatave të përsëritshme,
por dua të shpreh një keqardhje të madhe që skuadra me kaq emër dhe me trofe në elitën e futbollit shqiptar, sot janë katandisur në këtë derexhe dhe në një nivel kaq inferior të përfaqësimit, si Kategoria e Dytë.
I keni qëndruar besnik fanellës kuqezi edhe në ditët më të vështira. Keni ndonjë peng nga këta 3 vjet në Vlorë? Patjetër që po. Kam ardhur në Vlorë me dëshirë të madhe, duke ëndërruar që me Flamurtarin të arrinim majat, si dikur, në kohët e lavdishme të kësaj skuadre. Por pengu më i madh është rrëzimi në Kategorinë e Dytë, gjë që as e kisha kurrë ndërmend, sepse kishim një grup me lojtarë shumë të talentuar dhe mund të kishim mbijetuar.
Si mund të rikthehet në elitë një ekip si Flamurtari, skuadër me të cilën mburret një komb i tërë që dikur ka sfiduar me aq sukses Barcelonën?
Asgjë nuk është e pamundur, por normalisht duhet që të privatizohet klubi ose të bëhet ligji i sportit që gjërat të shkojnë siç duhet. Ai Flamurtari i kohës së artë ka bërë krenarë gjithë Shqipërinë dhe ne, lojtarët e kësaj skuadre sot, ndihemi ligsht për të parë në sy legjendat që sfiduan Barcelonën: Vasil Rucin, Rrapo Tahon, Sokol Kushtën dhe gjithë të tjerët, që mbeten maja më e lartë e historisë së këtij klubi, model për çdo skuadër të mëvonshme të Flamurtarit dhe që, të gjithë ne, brezat pasardhës, jemi borxhlinj ndaj tyre, për sa kohë nuk e ngjisim skuadrën në ato nivele.
Një postim juaji në rrjetet sociale ka ngjallur jo pak diskutime. Cila do të jetë e ardhmja e Andi Ribajt? Do të vazhdoni me Flamurtarin në Kategorinë e Dytë apo ka ardhur koha që t’i thoni “Stop”?
Unë po pres të shoh se çfarë do të bëjë presidenti dhe më pas do të vendos për të ardhmen time. Nëse situata e skuadrës dhe klubit merr drejtimin e duhur dhe premtues, unë do të qëndroj, sepse i kam detyrim Flamurtarit për ta ringritur atje ku i takon.
Përpara 3 vitesh klubi fierak ju lejoi që të bashkoheshit me Flamurtarin në ditën e fundit të merkatos, edhe pse kishit kontratë. Nëse ju vinte një ofertë nga Apolonia, do ta pranonit?
Po, e vërtetë. Përpara 3 vjetësh, drejtori Olsi Bregu dhe trajneri Marjol Miho më kanë afruar tek Apolonia dhe unë u bëra pjesë e tyre. Por në momentin e fundit më kërkoi Flamurtari dhe ata më lejuan, gjë që ua di për falënderim. A mund të rikthehem tek Apolonia? Nuk e di, sepse do të pres njëherë se çfarë do të ndodhë me Flamurtarin dhe pastaj do të merrem me shqyrtimin e mundësive të tjera.
Meqë jemi në “ethet” e Europianit, për cilën skuadër bën “tifo” Andi Ribaj dhe cilën përfaqësuese sheh si fituese të kompeticionit?
Ka qenë një kampionat i bukur dhe me shumë emocione. Unë kam dëshirë të madhe që këtë Europian ta fitojë Italia, mendoj se është skuadra që e meriton më shumë se gjithë të tjerat. BUJAR RAMA