Skënderbeu, Memelli tërbohet me Meksin
Trajneri: Do të doja ta kisha në stërvitje kapitenin, tani vendos klubi
Skënderbeu ka nisur përgatitjet dhe trajneri Migen Memelli është i qartë në atë që kërkon nga ekipi. Pas 45 ditësh skuadra duket në formë dhe kjo e kënaq trajnerin bardhekuq. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës korçare flet për merkaton, ku pret edhe dy apo tri afrime të tjera për të kompletuar grupin, ndërsa ndalet edhe te çështja “Meksi”, me kapitenin që mungon në fazën përgatitore, zhgënjimin për të cilin Memelli nuk e fsheh aspak.
Memelli, jeni në ditët e para të përgatitjeve. Si ju ka ardhur ekipi?
Jemi në nivelin e pritshmërisë të asaj që kishim programuar dhe asaj që kishim dhënë gjatë ditëve të pushimeve, ku lojtarët kishin një program të specifikuar dhe duke iu referuar rezultateve të dy testeve të zhvilluara, jemi në një nivel të kënaqshëm.
Për sa i përket përbërjes së skuadrës, mes afrimeve dhe largimeve, jeni i kënaqur me grupin që keni në dispozicion?
Po, janë afruar katër lojtarë dhe do t’i shikojmë me kujdes në ditët në vijim cilësitë që ata kanë dhe sa do të mund të ndihmojnë ekipin për vijimësinë, qoftë në aspektin teknik dhe atë fizik. Më pas do të shohim përshtatjen e tyre me grupin, çka është edhe elementi kryesor.
Merkatoja për Skënderbeun është ende aktive?
Shpresoj që klubi në bashkëpunim edhe me stafin të afrojë edhe dy-tre lojtarë të tjerë. Merkatoja jonë nuk është mbyllur akoma. Do të jemi një skuadër sa më e plotë dhe sa më konkurruese.
A e di Memelli se çfarë i duhet?
Ajo që unë kam kërkuar nga klubi është që të kem nga dy lojtarë në çdo pozicion, pasi sezoni është i gjatë. Do të ketë dëmtime, do të ketë pezullime. Prandaj, duhet që të plotësohet ekipi katër javë para startit të kampionatit, pasi këto do të jenë shumë të rëndësishme.
Thatë që doni edhe dy-tre lojtarë. Pozicionet i keni piketuar?
Presim konfirmimet e Sadriut dhe Rexhepit, dy lojtarë shumë cilësorë të sezonit të kaluar. Do të bëjmë përforcime të tjera, qoftë në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
Mara është bashkuar me ekipin, ndërsa Meksi ende jo. Si qëndron puna me kapitenin?
Nëse do të duhet të jem brenda kornizës profesionale, do të doja që liderin e ekipit duhet ta kisha prezent që në ditën e parë. Nuk ndodhi, as nuk më ka lajmëruar, por këto janë çështje administrative që më vonë do t’i delegohen klubit. Gjithsesi, unë doja që personin që unë e dëshiroja në staf, ta kisha në krah, nuk ndodhi. Do të shohim në vijim si do të procedojmë dhe çfarë problematike ka pasur lojtari.
Kjo do të thotë që veç gjobës, Memelli po mendon për një tjetër kapiten?
Kjo do të thotë që ne kemi një rregullore dhe mbi bazë të saj vendosim pikat mbi “i”. Lider lind dhe gjatë rrugës plotësohesh. Ne do të vendosim në vijim se kush do të jetë kapiten dhe lider i ekipit. Jorgo Meksi ka pasur vendin e vet dhe ne e presim në skuadër. Ka qenë gjithmonë i mirëpritur, por këto janë gjëra që nuk më pëlqejnë. Unë jam një person që dua që karakterin tim t’ua përçoj edhe lojtarëve.
Meksi mund të quhet largim?
Këtë nuk e di unë, duhet të pyesni klubin, sepse unë jam vetëm trajner dhe merrem me lojtarët që janë në fushën e lojës.