“Unë i mungoj Superiores, si vendosëm për italianin”
Pero Pejiç është ideatori i këtij Kukësi, si me afrimet e deritanishme, ashtu edhe me kontaktet për trajnerin e ri. Drejtori sportiv i verilindorëve ka shpjeguar si shkoi deri te Longo dhe arsyen pse e zgjodhi që ta ketë në krye të Kukësit.
TRAJNERI I RI - “E zgjodhëm këtë trajner, e kërkuam dhe e pamë në një skuadër të madhe si Dinamo e Kievit. Më herët gjithashtu ka pasur karrierë në skuadra të tjera të mëdha dhe ka punuar me trajnerë si Luçesku dhe i biri i tij. Unë e njoh Luçeskun si trajner, është njeri i madh dhe trajner i zoti, ndaj shpresoj që Longo të ketë mësuar shumë prej tij. Prandaj e kemi afruar. Diskutuam me të gjithë stafin drejtues dhe vendosëm të emëronim këtë trajner. Objektivi i Kukësit është gjithmonë që të fitojë kampionatin. Kukësi është mësuar gjithmonë që të luajë në Europë, por sezoni i fundit ishte i keq”, tha Pejiç.
AFRIMET -I pyetur në lidhje me afrimet e deritanishme, nëse Longo ka dhënë dakordësinë apo jo dhe se çfarë ka kërkuar në merkaton e transferimeve, lidhur me rolet për të cilat ka nevojë, Pejiç “driblon” njësoj si dikur në fushën e lojës përballë mbrojtësve kundërshtarë. “Ai ka qenë pjesë e ekipeve të mëdha dhe tani kërkon që të jetë trajneri i parë. I besuam Longos për të tentuar që të fitojmë kampionatin”, përgjigjet më tej drejtori sportiv i verilindorëve.
EKIPI DHE RIVALËT - Sipas Pejiçit, rivaliteti këtë sezon do të jetë i madh për vetë përbërjen cilësore të skuadrave pretendente si dhe rikthimin e Dinamos në elitë: “Këtë vit do të jetë një kampionat i fortë. Është ngjitur edhe Dinamo nga Kategoria e Parë. Partizani, Tirana, Kukësi dhe Vllaznia kanë të gjitha skuadra të mira. Ne interesohemi vetëm për Kukësin në punën tonë”.
MUNGESA E PEJIÇIT - “Pejiç nuk i ka munguar vetëm Kukësit, por ka munguar edhe në Superiore vitin e fundit. Ne po kërkojmë një qendërsulmues, por duam dikë që të garantojë 15-20 gola, ndoshta 30 pikë, pasi kështu e lehtëson punën për të fituar titullin. Është e vështirë. Megjithatë, nuk ka rëndësi vetëm sulmuesi, përtej cilësive, por edhe mënyra e lojës. Ne nuk mund të kërkojmë të bëjmë ‘tiki-taka’ si Barcelona, nëse nuk kemi lojtarë me cilësi për atë lojë. Një trajner ka cilësi edhe kur përshtat lojën në bazë të elementëve që ka”, ka deklaruar Pejiç.