Panorama Sport (Albania)

“Djalli” ngre murin, ja si Pioli sistemoi mbrojtjen

-

Për të kuptuar sensin e kësaj analize duhet filluar me Kalulunë në të djathtë, Gabian e Romanjolin në qendër dhe Balo Turenë në të majtë. Teorikisht asnjëri nuk është titullar, por ja që në morinë e dëmtimeve gjatë një mbrëmjeje vjeshte Milani zbulon se ka mbrojtjen si pikë të fortë. Një mur që qëndron drejt me këdo që të ketë në themele. Dy gola të pësuar në 450 minuta pa përfshirë shtesat. Deiola i Kaljarit gjatë një rrëmuje në zonë dhe Morata me kundërsulm kanë qenë të vetmit që kanë mundur të mposhtin Majk Menjanë. Kjo e dhënë, së bashku me pikët e mbledhura, përbëjnë objektin e krenarisë së Stefano Piolit që tashmë pret t'i bashkohen të dëmtuarit.

SHKAQET

- Mbrojtja ishte një nga pikat e dobëta të kuqezinjve dhe rregullimi i këtij defekti së bashku me zgjerimin e organikës e bëjnë trajnerin që të shohë me optimizëm nga e ardhmja. Nuk është rastësi që Teo Hernandezi flet për titull, ndërkohë që të gjithë pranojnë rritjen mendore dhe teknike të "Djallit". Maldini ka ndërtuar një skuadër me talent ku gjithkush e njeh detyrën dhe e di fort mirë se kur duhet të godasë e kur të vuajë. Rritja në aspektin difensiv ka nisur që prej sezonit të kaluar. Milani, në fakt është i vetmi ekip në pesë kampionate­t madhore të Europës që ka mundur ta mbajë portën e paprekur në tetë nga 10 ndeshjet e fundit. Përmirësim­i ka ardhur për shkak të rritjes ekipore, të përmirësim­it të Tomorit, por edhe të ndërhyrjev­e të Menjasë i cili deri tani ka treguar se është një portier i besueshëm. Përveç Moratës, që përfitoi nga një gabim pozicionim­i, askush tjetër nuk ka ditur t'i shënojë kuqezinjve me aksion.

PO STOLI?

Pioli ka ndërtuar një skuadër që di të mbrohet në 30 metrat e fundit duke mos dhuruar hapësira, ndërkohë që alternativ­at cilësore i mundësojnë atyre që zbresin në fushë që të mos kursehen kur bëhet fjalë për të ushtruar trysni ndaj rivalit. Pikërisht ky presion është një armë mbrojtëse sepse jo vetëm që mban topin larg portës së Menjasë, por njëkohësis­ht ofron mundësi sulmi në rast rikuperimi të sferës. Tashmë Pioli pret lajme nga infermieri­a. Zhiru e Mesias mund të jenë gati që nesër, teksa me Benaserin që ka marrë veten, Bakajoko e Kruniçi mund të shërohen pa u nxituar. Sigurisht duhet të rikthehen Ibra e Kjaeri, ndërkohë që edhe Kalabria do të ketë kohë të japë kontributi­n që e ka dalluar në muajt e fundit. Milani sheh nga e ardhmja me besim, muri i mbrojtjes ofron një siguri më tepër.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania