Tri transferta ferri në 9 ditë, Guardiola: Ky është një privilegj
Siti luan kundër Çelsit, PSG-SË dhe Liverpulit
Pep Guardiola i ka cilësuar 9 ditët e ardhshme të Mançester Sitit një privilegj, ndërsa skuadra e tij do të luajë në transfertë kundër Çelsit, PSG-SË në Champions dhe pastaj Liverpulit. Kampionët e nisin sot në “Stamford Bridge”, ku tekniku i “Qytetarëve” do të kërkojë të marrë më të mirën ndaj skuadrës që e ka mundur në tri duelet e fundit sezonin e shkuar. Pastaj Siti do t’i drejtohet Parisit për sfidën e javës së dytë të Ligës së Kampioneve përpara se të udhëtojë drejt “Anfield”-it më 3 tetor për sfidën me Liverpulin në Premier Ligë. Dhe përpara këtij kalendari ferri për skuadrën e tij, tekniku tha në konferencë se mezi po i pret këto sfida bashkë me turneun e “Ryder Cup” këtë fundjavë duke ditur se ai është një i apasionuar pas sportit të golfit. “Është kaq bukur, çfarë privilegji dhe të gjitha këto në javën që luhet edhe ‘Ryder Cup’... A ka më mirë se kaq? Jo”, tha Guardiola me ironi. “Por do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Udhëtojmë në Londër dhe pastaj do të përgatitemi për PSG-NË”. I ngacmuar nga gazetarët nëse do të ketë kohë për të ndjekur turneun e golfit, ai tha: “Absolutisht. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit”. Siti humbi tri herë kundër Çelsit në harkun e 6 javëve sezonin e shkuar, me Tuhelin që mori më të mirën prej katalanasit në Kupën FA, Premier Ligë dhe finalen e Champions-it. Pep provoi formacione të ndryshme në të tri ndeshjet dhe shpreson të ketë mësuar prej atyre humbjeve: “Ne i përgatisim ndeshjet siç kemi bërë gjithnjë. Përpiqemi të lexojmë atë që është kundërshtari dhe çfarë ne kemi bërë në takimet e fundit kundër Çelsit. Çdo ndeshje është një sfidë e re, të përpiqemi të përmirësohemi. Nuk është një finale, është krejtësisht ndryshe. Finalja ishte një sfidë e ngushtë, ne humbëm dhe Premier Liga kishte përfunduar me ne thuajse kampionë. Do të mësojmë nga këto tri humbje, por është vetëm një ndeshje më shumë në sezonin prej 38 javësh”.