Apolonia del sërish huq, e thyen Tërbuni në Fier
Rastet nuk u mungojnë, por fierakëve u bëhet makth Kuka
Apolonia nuk po ngre dot kokë. Pas barazimit në transfertë me Maliqin, bie në shtëpi. Përballë Tërbunit janë mundur në shifrat 0-1, duke u ngujuar në vendin e 12-të të renditjes. Samet Ruqi ishte protagonist i padiskutueshëm i ndeshjes së luajtur në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Një gol i mbrojtësit dhe pritjet vendimtare të Klajdi Kukës bënë që pukjanët të largoheshin fitimtarë nga Fieri.
PJESA E PARË - Loja nis e vakët dhe me skuadrat që mundohen të qarkullojnë dendur topin. Të dyja mendonin më shumë të mbroheshin sesa të sulmonin dhe për pasojë rastet ishin me pikatore. Duhet të vinte minuta e 18-të, që bardhejeshilët të rrezikonin seriozisht. Një krosim i gjatë i Repajt dhe Omeri kontrollon topin në zonë dhe godet, por
Kuka pret i sigurt. Tërbuni përgjigjet me Hysën, por Çako kontrollon i qetë. Mesfusha e Apolonisë “zgjohet” dhe mundohet që të shërbejë më shumë nga krahët. E megjithatë, sulmuesit nuk i shfrytëzojnë si duhet. Ka edhe një mundësi të mirë Hysa para se të shkojnë në dhomat e zhveshjes, por kapet në pozicion jashtë loje dhe për pasojë kjo pjesë mbyllet “e thatë”.
PJESA E DYTË - Kjo pjesë nisi ndryshe, me më shumë raste dhe skuadrat që interesoheshin më shumë për golin e epërsisë. Vendësit janë më
kërkues, por prapavija mike nuk linte shumë hapësira. Në të 54-ën një kombinim i shpejtë dhe i saktë midis Levendit dhe Omerit solli një rast të rrezikshëm, por portieri Kuka bën shpëtimtarin. Tenton edhe Shahaj pak minuta më vonë, por nuk ka shënjestër. Trajneri
Elvin Beqiri kryen një zëvendësim, fut Markun për Hysën. Ky i fundit nuk e priti mirë dhe u pa të dilte i revoltuar. Loja ka vazhduar me ritëm, por fati u buzëqeshi pukjanëve në të 78ën. Një pakujdesi e Repajt kushton shumë. Mbrojtësi humb topin në zonë dhe Hysa godet,
por portieri grushton. E megjithatë, topi mbetet në zonë dhe Ruqi i ndodhur aty nuk mund të falte dhe ndëshkon fierakët. Apolonia nuk u beson syve dhe hidhet në sulm për të gjetur barazimin, por Klajdi Kuka i thotë “jo” golit dhe festa është e gjitha për Tërbunin.