Panorama Sport (Albania)

Ndizet gara, goleada, tension, gafa dhe... “koka” trajnerësh

-

Konfirmime, gola me bollëk, tension, gafa dhe... “koka” trajnerësh. Këto prodhoi java e 4-rt e Kategorisë se Parë, e cila vazhdon të komandohet prej Bylisit. Ballshiotë­t e kanë ndarë mendjen, nuk duan të ndalen pa u kthyer andej nga erdhën. Vendin e fjalëve e kanë zënë veprat, ndërsa zyrtarisht nuk e njohin humbjen dhe me 12 pikë janë të parët. Përballë Pogradecit vuajtën, por dëshmuan se në transferta janë superiorë. Ishin Carkanji e Qardaku që u bënë vendimtar, ndërsa Alillari nuk u mjaftoi vendësve. Korabi nuk mbetet pas, teksa blindon vendin e dytë. Fituan 3-1 me Besëlidhje­n duke konfirmuar se janë kandidatë për misionin “Superiore”. Lezhjanët zhyten në fund, ndonëse në Peshkopi bënë vërtetë lojë të mirë. Edhe pse dibranët shënuan të parët me Jotin, i ndihmuar edhe nga përgjumja e portierit, barazuan me Jeremiçin. U duk se skuadra e Alban Brukës nuk do të dilte duarbosh nga kjo transfertë, por në fund u “fikën”. T.marku në të 89-ën dhe Bërdufi në të 94-ën i mposhtën. Triumf me aromë “podiumi” ishte ajo e Shkumbinit, që mposhti Maliqin në shtëpi. Ishin në disavantaz­h pas golit të Isufit, por dopio e Dushaj dhe Onuh dhanë trepikëshi­n e tretë sezonal dhe vendin e tretë. Surpriza e kësaj jave erdhi nga Tërbuni i Elvin Beqirit, që fitoi në mes të Fierit. Një gol i Samet Ruqit dhe pritjet e Klajdit Kukës nderuan kundër Apolonisë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Skuadra e Juri Kanarsës vazhdon të bëjë blofe duke qenë larg zonës së sipërme. U kthye edhe Erzeni pas startit të dobët. Me Turbinën në shtëpi gjetën golat dhe qetësinë. Penalltia e Raboshtës, Enk dhe Mehmeti i ngjisin shijakasit ne vendin e 5-të. E papritura ndodhi në Burreli-besa, atje ku u mbyll me shifrat 5-1. Kavajasit u turpëruan në “Liri Ballabani” dhe gafat e bëra kushtuan jo pak. Kjo bëri që Ndriçim Kashami të jepte dorëheqje pa kaluar 24 orë nga turpërimi. Dhe direkt klubi gjeti zgjidhjen, dhe vendin e tij ia besoi Dorjan Bubeqit. Është pikërisht kjo lëvizja e parë në pankina për këtë kampionat. Verdhezinj­të duan me çdo kusht ngjitjen, por as “shkundja” që u bëri Nexhat Bizhdili para ndeshjes nuk dha pikë efekti. Në Lushnjë zhbllokohe­n më në fund. Gjejnë të parin gol dhe fitoren njëherësh duke iu larguar fundit. Butrinti u mundua që të bënte diçka, por mbeti “thatë” nga ky duel. I vetmi barazim erdhi në Pezë, atje ku Vora ndeshej më Tomorin. Këta të fundit gjetën të parët golin me Oshafin në mbyllje të pjesës së parë, Lushaku ndali festën e beratasve dhe skuadrat ndanë vetëm nga një pikë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania