Panorama Sport (Albania)

Bizhdili “dajak” Besës, prezanton edhe Bubeqin

Trajneri i ri: Nuk mund të thoja ‘jo’, kërkoj disiplinë

- FERIZ FERIZAJ

Besa nuk humb kohë, zyrtarizon trajnerin e ri. Ka qenë vetë Nexhat Bizhdili që e prezantoi Dorjan Bubeqin para ekipit dje. Trajneri zëvendëson Ndriçim Kashamin, që dha dorëheqjen pas humbjes turpëruese në Burrel. Përpara se të kryhej kjo procedurë, presidenti i ka dhënë një “dajak” të fortë ekipit në analizë. Dhe nuk zgjati pak, por 40 minuta. Nuk ka kursyer askënd dhe ka kërkuar reagim urgjent. “Timonieri” i ri preferoi të bashkëpuno­nte me të njëjtin staf teknik duke konfirmuar zëvendës Meglid Mihanin, Taulant Gurmën si përgatitës portierësh dhe mjekun Amiljano Bizhdili. Përpara se ekipi të niste seanca stërvitore, Bubeqi në fjalën e tij u ka bërë të qarta futbollist­ëve kërkesat e tij dhe ka theksuar se nuk do të tolerojë askënd. Disiplina ishte kryefjala e tij dhe për këtë ai nuk ngurroi t’ua theksonte se do të zbatonte rregullore­n e klubit. E ndërsa lojtarët nisën ushtrimet parapërgat­itore, tekniku i sapoemërua­r iu përgjigj pyetjeve të “Panorama Sport”.

Çfarë ju bindi të pranonit kaq shpejt ofertën e Nexhat Bizhdilit?

E para dhe kryesorja sipas meje mbetet detyrimi moral i çdo trajneri kavajas për t’i ndihmuar ekipet e qytetit të tij të çdo niveli. E dyta, si kavajas që jam më dhemb fati i ekipit të qytetit tim, por edhe sëmundja profesiona­le.

Sa e keni ndjekur Besën këtë sezon?

I kam ndjekur dy ndeshjet që ka luajtur në Luz. Dua të them se pranova pasi e njoh grupin dhe kam besim. Në të kundërt, askush nuk pranon të drejtojë një ekip të dobët apo që nuk e njeh.

Meqë e njihni grupin, cili është vlerësimi juaj?

Baza e ekipit janë futbollist­ët me përvojë, madje edhe në Superiore. Pjesë e grupit janë edhe lojtarët e rinj, por nuk është viti i parë që luajnë me Besën. Kështu që jam i bindur se vetëm me punë e disiplinë mund të arrijmë sukses. E përsëris, grupi i lojtarëve është cilësor dhe mundësitë reale janë që Besa të ngjitet në tabelë, aty ku realisht ka mundësitë dhe detyrimin.

Ju e nisët duke këmbëngulu­r te disiplina që në prezantim.

Themeli i çdo pune, gjithmonë sipas meje, nëse pretendon sukses mbetet disiplina. Vetëm kur secili kryen detyrimet e veta duke nisur nga unë i pari, atëherë punët ecin.

Çfarë nënkuptoni me disiplinë?

Kur them disiplinë, nuk është vetëm korrektësi­a në orarin e stërvitjes, por ajo në fushë, në zbatimin e detyrave taktike e me radhë. Kur secili bën detyrën e tij, e më pas të gjithë së bashku, atëherë nuk ka arsye që të mos jemi të suksesshëm. Fanella e Besës kërkon nderim dhe është e rëndë, ndaj çdo futbollist duhet ta ketë të qartë se karriera e tij apo mbiemri në fanellë vlejnë shumë më pak se historia dhe emri i Besës.

 ?? ?? Dorjan Bubeqi, dje gjatë prezantimi­t
Dorjan Bubeqi, dje gjatë prezantimi­t

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania