Panorama Sport (Albania)

Gjysma e Kombëtares sfilitet në 45 minuta, ja pse shthuremi

- Nga NEPTUN BAJKO

Dikur një nga trajnerët me të cilin kam pa sur fatin të stërvitem dhe të rritem si futbollist dhe pastaj si trajner i ri në këtë profesion më këshillont­e: "Asnjëherë nuk duhet të jesh i nervozuar në pushimin e ndeshjes. Nuk duhet të fillosh me kritika ndaj njërit ose tjetrit, por gjithmonë do të pasqyrosh anët pozitive, do të vësh në dukje me qetësi të metat dhe si mund të korrigjohe­n ato dhe pastaj të ndalosh te të metat edhe si ekip, edhe tek individë të veçantë". E kam fjalën për Refik Resmen e shquar. Nisur nga kjo, Kombëtarja jonë pasqyroi një lojë të mirë në pjesën e parë, ishte më e organizuar, repartet ruajtën distancat e duhura dhe gjithmonë ekipi zhvilloi një nivel loje të mirë. Në këtë këndvështr­im vlerësimet në tërësi janë pozitive, por një sy i mprehtë profesiona­l duhet të kuptonte se disa lojtarë nga dëshira dhe entuziazmi lëviznin më tepër se ç'kërkohej. E kam fjalën për Balliun, Abrashin, Uzunin dhe deri diku për Ismajlin që po punonte shumë mirë në mbrojtje.

PROBLEMET

Skuadra u fut në pushim me fitore, që ishte shumë e rëndësishm­e si për publikun, ashtu edhe për moralin e ekipit. Por çuditërish­t, shumë çuditërish­t ama, pjesa e dytë, për mendimin tim ishte një fotokopje e pjesës së dytë të luajtur në Islandë. Kapja në befasi nga kundërsulm­et e Izraelit, kapja në çekuilibër të plotë e mbrojtjes solli pësimin e golit të barazimit. Me meritë të plotë shënoi Solomon i Izraelit. Pas kësaj kemi të njëjtën rënie psikologji­ke dhe fizike, çekuilibër në çdo repart dhe më keq akoma, kur skuadra tentonte të sulmonte, harroi mbrojtjen. Pikërisht këtu rivalët vepruan me zgjuarsi duke shënuar edhe golin e dytë, madje duke rrezikuar edhe dy herë të tjera. Problemi serioz, dhe shumë i madh sipas meje, është lodhja që u pasqyrua te disa lojtarë. Dhe këtu dua të ndalem sepse ka një gabim që përsëritet: me fillimin e ndeshjes dhe gjatë gjithë pjesës së parë lojtarët pasqyrojnë lëvizshmër­i, përballim të ngarkesave dhe dëshirën për të arritur sa më parë te suksesi. Por po ta shohësh me vëmendje, kjo ngarkesë e lartë dhe menaxhimi i gabuar i energjive bie te 3-4 lojtarë të skuadrës sonë, të cilët janë: Abrashi, Uzuni, Balliu deri diku edhe Asllani. Më vonë, pa dyshim edhe te Broja dhe Ismajli. Kjo tregon se nuk ka ndarje të energjive, pra që ngarkesa e një reparti është më e madhe sesa e reparteve të tjera. Ndryshimet në mbrojtje dhe mosharmoni­zimi i veprimeve çon atë që me kalimin e minutave skuadrës i humb kompaktësi­a, loja në bllok, duke çuar në zgjatjen e ekipit në gjithë fushën dhe duke e bërë atë shumë të lexueshëm dhe pak efikas në aksionet sulmuese. Kjo u lejon kundërshta­rëve tanë të shfrytëzoj­në mjaft mirë kundërsulm­in dhe befasinë. Futbolli nuk bëhet me deklarata. Nuk fitohet ndeshja pa filluar akoma me premtime nëse ato nuk janë realiste. Kjo pa dyshim na çon në situata që nuk mund t'i përballojm­ë as fizikisht dhe as psikologji­kisht.

KONKLUZION­I

Duke marrë parasysh të dyja ndeshjet, këtu nuk flitet më për progres. Gjërat duhen parë me realizëm dhe të bëhet një analizë e detajuar. Ky është një ekip kombëtar dhe ka shumë ndryshim nga një skuadër klubi. Nuk mund të bëhen vazhdimish­t eksperimen­te, ndryshime pozicioni... Ne humbasim identiteti­n tonë, sepse ne forcën e kemi te grupi, sado talente të kemi. Nëse Shqipëria nuk funksionon si një grup kompakt, nuk fiton dot dhe nuk shkon dot askund. Nuk e di a bëhen analiza për skuadrat me të cilat ne ndeshemi, sepse të njëjtat gabime u panë me Islandën dhe po të njëjtat me Izraelin. Qartazi Izraeli kishte marrë masa kundër nesh, duke filluar që nga mbulimi i Brojës dhe deri te markimi i lojtarëve të mesfushës që nuk i lejonin të organizoni­n aksionet. Presingu i Izraelit në pjesën e dytë ishte gjithashtu domethënës, ndërsa ne u çekuilibru­am dhe nuk kishim asnjë plan rezervë. Pra nëse ata morën masa për Brojën, po ne për Solomonin çfarë masash morëm? Kjo është e pafalshme.

Një tjetër problem është që ne nuk improvizoj­më asnjëherë. Shqipëria fitoi disa herë goditje standarde dhe goditje këndi, por ne nuk kemi asnjë skemë, edhe pse për fat në ekip ka disa lojtarë shtatlartë që mund të godasin... Ne nuk jemi asnjëherë të rrezikshëm sepse nuk kemi asnjë skemë të përpunuar. Nuk ka kurrë një gjë të tillë me Rejën.

Problem janë zëvendësim­et. Aktivizimi i Veselit nuk e di se sa ndikon në harmoninë e mbrojtjes, por e kam fjalën edhe tek futja e disa sulmuesve nxitimthi pa pasur asnjë plan dhe asnjë ide se si do ta kërkojnë golin. Këto janë tentativa në dëshpërim e sipër që nuk i takojnë një ekipi kombëtar.

“Një tjetër problem është që ne nuk improvizoj­më asnjëherë. Shqipëria fitoi disa herë goditje standarde dhe goditje këndi, por ne nuk kemi asnjë skemë, edhe pse për fat në ekip ka disa lojtarë shtatlartë që mund të godasin... Ne nuk jemi asnjëherë të rrezikshëm sepse nuk kemi asnjë skemë të përpunuar”.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania