Panorama Sport (Albania)

Oriku shkarkon trajnerin, Shabani: I shokuar nga vendimi

-

Çudirat nuk kanë fund në Shqipëri. Oriku shkarkon Besmir Shabanin. Vendimi është marrë një ditë më parë nga bordi drejtues i klubit, si dhe nga administra­tori Muharrem Jazaj. Në fakt, kreu i klubit e pati paralajmër­uar një gjë të tillë në deklaratat e dhëna më parë për gazetën, duke lënë të kuptohet që e ardhmja e trajnerit nuk ishte e sigurt. Burimet nga klubi bëjnë me dije për “Panorama Sport” se vendimi për largimin e tij ka ardhur për shkak të... eksperienc­ës. Edhe pse ishte ai që e ngjiti ekipin, drejtuesit duan dikë më me përvojë tani që do të militojnë në Kategorinë e Parë. Po të njëjtat burime bëjnë me dije se Shabanit i ofruan një tjetër post. I është propozuar detyra e drejtorit të akademisë, por ai nuk e ka pranuar. I kontaktuar nga gazeta, ish-trajneri është shprehur i shokuar pas këtij vendimi. Ai thotë se nuk e priste dhe sidomos kur ishte nën kontratë. “Më shkarkuan sot (dje). Keqardhje e madhe. Nuk e di arsyen se përse. Unë kisha kontratë deri në vitin 2024. Besoj se nuk ka kuptim dhe kjo gjë po më çudit shumë. Doja të vazhdoja, por nuk ishte e shkruar. Presidenti dhe bordi drejtues vendosën që unë të mos jem më trajner i Orikut, edhe pse kjo nuk ishte në dëshirën time. Megjithatë, dua të falënderoj në radhë të parë djemtë që ishin me mua bashkë në këtë rrugëtim të bukur, të gjatë dhe plot suksese. Ata meritojnë çdo të mirë të kësaj bote. Respekt për miqtë e mi të vërtetë që kam në Orikum. Faleminder­it nga zemra tifozëve dashamirës të ekipit. Keqardhje e madhe që nuk do të jem pjesë e tyre. I uroj suksese skuadrës në vazhdim”, përfundon tekniku vlonjat. Gazeta mëson se me shumë gjasa trajneri i ri do të jetë Arlind Rustemi. Mësohet se klubi ka nisur bisedimet me ish-trajnerin e Labërisë. Kandidat nuk është vetëm ai ama, pasi përflitet edhe ish-trajneri Eqerem Memushi.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania