Panorama Sport (Albania)

Ekipi fitues nuk ndryshohet, ja pesë garancitë e “Djallit”

-

Ditë të nxehta e jo vetëm për shkak të temperatur­ave. Milani po bën plane për të ardhmen, teksa pritet zbarkimi i Xherri Kardinales për të konfirmuar të tashmen. Garanci dhe strategji në panoramën kuqezi, teksa në thelb është ekipi ai të cilit do t’i kërkohet të konfirmojë gjithçka të mirë bëri në sezonin e fundit.

DREJTORËT – Pavarësish­t ardhjes në krye të një fondi të ri (“Redbird”), te Milani synojnë të ruajnë skuadrën fituese. Jo vetëm në aspektin futbollist­ik, por edhe në sektorë të tjerë. Në këtë kuadër, Paolo Maldini dhe Frederik Masara do të firmosin brenda javës rinovimet e kontratave që u skadojnë të mërkurën e ardhshme. Duke përjashtua­r surprizat e pakëndshme, dy drejtorë do të vazhdojnë punën duke ruajtur kompetenca dhe programet, teksa zyrtarizim­i duhet të vijë shumë shpejt.

STADIUMI – Me apo pa “San Siro”-n në të ardhmen, kuqezinjtë do të luajnë të paktën për tri vite të tjera në impiantin ku kanë shkruar historinë. Në listën e pronarëve është stadiumi i ri. “San Siro” apo në Sesto, do të jetë e rëndësishm­e për klubin të kuptojë qëllimet e bashkisë. “Djalli” ka ambicie dhe impianti ku do të luajnë duhet të jetë në lartësinë e tyre. Në këtë kuadër, Stiven Zhang i Interit dhe Xherri Kardinale i Milanit do të zhvillojnë së shpejti takimin e tyre të parë pikërisht për të zgjidhur çështjen e impiantit privat. Siç e tha presidenti Skaroni: “Milani do të rrëmbejë çdo mundësi që do t’i jepet!”

MERKATO – Blerje dhe rinovime janë dy temat e mëdha të verës kuqezi, megjithatë organika e Piolit do të konfirmohe­t në 80 për qind të saj. Sigurisht, do të ketë largime, por të sigurta janë edhe afrimet. Mbrojtësi, mesfushori dhe një zhol ofensiv janë përparësit­ë, megjithatë drejtuesit e “Djallit” do të dinë të jenë në lartësinë e detyrës nëse shfaqet mundësia për diçka më tepër. Rinovimet do të shqyrtohen në një moment të dytë, por me xhevahirët akordet janë arritur dhe mungojnë vetëm detajet.

KLUBI – Me Maldinin dhe Masarën nuk përfundon gjithçka. Paolo Skaroni do të vijojë të jetë president, teksa Ivan Gazidhis do të jetë administra­tor i Milanit të paktën deri në fund të nëntorit kur i skadon edhe kontrata. Xherri Kardinale do të jetë pronari, por edhe një lloj drejtori i përgjithsh­ëm i cili do të merret me anën tregtare të klubit. Në tri vitet e fundit klubi është zhvilluar, por të ardhurat mund të shtohen ende, ndaj edhe baza drejtuese për punën duket cilësore dhe e garantuar aq më tepër që në këshillin e bordit “Elliott” do të “monitorojë” gjithçka pasi do të përfaqësoh­et nga të paktën dy elementë.

FUSHA – Topi është i rrumbullak­ët dhe nuk ka siguri. Stefano Pioli mezi pret të nisë punë, por deri diku është i qetë sepse ka garancinë që skuadra i njeh mirë konceptet e lojës së tij. Sigurisht, diçka duhet zhvilluar për të mos qenë të lexueshëm e për të tentuar arritjen e yllit të dytë (titulli i 20-të). Në çështjet e fushës duhet futur edhe ecuria në Europë. Leaos me shokë u kërkohet të kalojnë të paktën fazën e grupeve, teksa nga gushti në nëntor do të luajnë 21 ndeshje (mes Serisë A dhe Champions-it). Të gjithë duhet të gjenden gati.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania