Panorama Sport (Albania)

Shtatë sekretet e sulmuesit afrikan

Mane do të bëhej fermer, në moshën 15-vjeçare u arratis nga shtëpia por e “tradhtoi” shoku Familja nuk e donte futbollist. Nuk dinte të gatuante, Liverpuli i gjeti një kuzhinier

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Sadio Mane është gati të nisë aventurën e tij të re në karrierë, në një klub tjetër pas Liverpulit që mund t’i garantojë shumë trofe si Bajerni i Mynihut. Përpara prezantimi­t të tij në “Allianz Arena”, tifozët e Bajernit duhet të dinë edhe disa nga sekretet e jetës së 30vjeçarit jashtë fushës së blertë. Ai është profili i futbollist­it ideal për një klub si kampionët e Gjermanisë, të cilët disiplinën dhe angazhimin social kanë parësor pas asaj që ndodh në fushë.

FAMILJA KUNDËR – Sadio lindi më 10 prill 1992 në fshatin Bambali dhe ishte pjesë e një familjeje të madhe prej 18 personash. “Jeta ishte e vështirë”, tregon Mane në dokumentar­in e jetës së tij quajtur “Prodhuar në Senegal”. “Ti mund të bëheshe vetëm fermer, nuk ka profesione të tjera këtu”. Familja e tij myslimane ishte kundër ëndrrës së tij për t’u bërë futbollist. “Babai i tij ishte një imam, çka do të thotë se ti duhet të ishe një model i mirë në sjellje. Ti nuk mund të luash futboll, por duhet të vazhdosh shkollën dhe të bëhesh i suksesshëm”, tregon shoku i tij i fëmijërisë, Luk Xhibun. Por ky nuk ishte një opsion për Manenë.

DJALOSHI REBEL – Një ditë ai paketoi gjërat e tij dhe u përpoq të provonte fatin duke shkuar në kryeqyteti­n e Senegalit, Dakar. “Nuk i thashë askujt përveç shokut tim të ngushtë. Familja provoi të më telefonont­e kudo, i bënte presion shokut të ngushtë. Në një pikë ai u dorëzua. Familja më ktheu mbrapsht dhe unë isha i zemëruar me të gjithë”. Ai përfundoi shkollën përpara se të bindte prindërit që ta linin të ndiqte ëndrrën e tij. U pikas nga shoqata e futbollit “Generation Foot” në Senegal dhe në vitin 2011 firmosi me klubin francez të Metzit. Në 2012 u transferua te Salcburg, në Austri. Dy vite më vonë erdhi transferim­i në Premier Ligë te Sauthempto­ni dhe në 2016 Liverpuli pagoi 41.2 milionë euro për ta sjellë në “Anfield Road”.

IDHUJT – Mane është rritur i frymëzuar në veçanti nga Ronaldinjo, të cilin e shihte të luante te Barcelona. “Doja gjithnjë të bëhesha si ai”. Por ai ndoqi me

shumë interes edhe bashkatdhe­tarin e tij El Haxhi Diuf në Botërorin e 2002-shit.

KUZHINIERI – Gatimi nuk është pika e tij më e fortë. “Unë di të bëj vetëm qull vetë”, tregon me humor. Por kur ai u transferua te Liverpuli, Mona Nemer, shefja nutricioni­ste gjermane që solli trajneri Jyrgen Klop, i gjeti një shef kuzhine sulmuesit. “Emri i tij është Damien dhe ai është me origjinë polake, por ka jetuar në Britani me familjen e tij prej shumë vitesh”, tregon Mane. “Ai është një djalë shumë i mirë. Nuk do ta ndërroj kurrë shefin tim të kuzhinës”. Mane nuk ka një ushqim të preferuar. “I vetmi rregull që kam në tavolinë është që duhet të ushqehem gjithnjë shëndetshë­m”, nënvizon profesioni­sti model.

DISIPLINË E HEKURT – Manesë i pëlqen që të zgjohet herët në mëngjes. Bën një dush dhe pastaj falet. “Jam gjithashtu një njeri që fle shpejt, zakonisht rreth orës 23:00”. Një gjë shumë e rëndësishm­e në rutinën e tij ditore është komunikimi me familjen: “Një gjë që e bëj çdo ditë është flas me nënën, xhaxhanë dhe motrat e mia. Ata jetojnë në Senegal kështu që unë i telefonoj gjithnjë”.

ARGËTIMI – Futbollist­ët janë të apasionuar pas lojërave elektronik­e të “Play

Station”, por ky nuk është rasti për Manenë. Ai preferon më shumë lojërat fizike, shah, tavëll, ndërsa kohën e lirë e kalon duke parë edhe ndonjë serial, përfshirë “Game of Thrones”.

BAMIRËSIA – I cilësuar gjithnjë si një lojtar model dhe me këmbë në tokë, në Gjermani do ta vlerësojnë shumë karakterin e 30vjeçarit këto tri vite. Në vitin 2019, Mane dhuroi 300 mijë euro për të ndërtuar një shkollë në fshatin e tij të lindjes, Bambali. Në vitin 2021 ai dhuroi 600 mijë euro për ndërtimin e një spitali atje. “Më kujtohet që motra ime lindi gjithashtu në ambientet e shtëpisë, sepse nuk kishte një maternitet në fshatin tonë. Unë doja të ndërtoja një spital për t’u dhënë njerëzve shpresë”, shpjegon kampioni.

 ?? Sadio Mane në fshatin e tij Bambali në Senegal ??
Sadio Mane në fshatin e tij Bambali në Senegal

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania