Anulohet akordi, Mërgjyshi: E vërteta ime me Dinamon
Pankina mbetet ende bosh, trajnerit i përmbysen planet “Para një muaji gjetëm marrëveshjen, por më thanë nuk vlen më”
Përmbysen planet e Dinamos dhe ato të Artan Mërgjyshit. Ishte vetëm një hap larg rikthimit në kryeqytet, por situata ka ndryshuar në 360 gradë. Gati një muaj më parë pati arritur një akord me klubin, por ai nuk vlen më. Kandidatura e 54-vjeçarit përfundimisht ka rënë dhe këtë e konfirmon ai vetë, në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.
REAGIMI I MËRGJYSHIT
Tekniku bën me dije se nuk është më opsion për pankinën e kryeqytetasve. Ai tregon se si kanë rrjedhur ngjarjet javët e fundit, konkretisht që prej afrimit të ortakut Kristjan Gjidodaj. Akordi mes palëve është anuluar nga vetë drejtuesit dhe tani Artan Mërgjyshi do t’i duhet të bëjë plane të tjera. Kujtojmë që, veç bluve, të interesuar për ta marrë ishin edhe klube si Apolonia apo Tërbuni. “E vërteta është se kishim arritur një akord me drejtuesit e Dinamos, që unë të drejtoja këtë skuadër për sezonin e ri në Kategorinë e Parë. Ishte një marrëveshje që e kishim bërë gati një muaj më parë, por së fundi situata ka
ndryshuar dhe aktualisht nuk ka asgjë që më lidh me Dinamon. Më është komunikuar se ai akord që kishim nuk vlen më, sepse gjërat kanë ndryshuar me ardhjen te Dinamoja të ortakut të ri. Tani e ka ai në dorë edhe çështjen e trajnerit të ri të skuadrës. Kjo është e gjitha, jam një trajner i lirë dhe do të shoh mundësi të tjera për të vazhduar karrierën”, ka thënë trajneri, duke zbuluar më shumë rreth asaj që ndodhur me të dhe Dinamon. Ai akord paraprak me blutë duket se i ka prishur punë trajnerit kryeqytetas, që kërkohej edhe nga klube të tjera në vend.
PANKINA MBETET BOSH
Blutë nuk kanë vendosur ende zyrtarisht për trajnerin e sezonit 2022-2023, edhe pse kjo është çështja kryesore për momentin. Një nga emrat më të lakuar mbetet ai i Nevil Dedes, edhe pse nga vetë klubi u hodh poshtë menjëherë sapo gazeta e publikoi si lajm. Ish-mbrojtësi i Kombëtares dhe Tiranës ka ende mundësi për të marrë “timonin” e skuadrës së saporënë nga elita. E megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që pasuesi i Rodoldo Vanolit të jetë i huaj. Ka qenë vetë Kristjan Gjidodaj
që e ka hedhur këtë si ide. Ortaku i presidentit Adrian Bardhi ka pohuar për gazetën se ai me shumë mundësi do të vijë nga jashtë. E megjithatë, nuk dha ndonjë emër apo pistë konkrete. Në këto kushte, duhet pritur ende për të mësuar se çfarë do të ndodhë konkretisht me trajnerin e ri të “nëndetëses”. Dinamo do të grumbullohet më 10 korrik për të nisur përgatitjet e sezonit të ri dhe koha po limitohet. Personi që do të zgjidhet për këtë rol, do të ketë ndikim kryesor edhe në merkaton që do të bëjnë blutë për të forcuar skuadrën.