Nagelsman: E donim Manenë, mund të luajë në pesë role
Trajneri i Bajernit komenton blerjen e yllit senegalez “Një futbollist model, u vu në dispozicion të ekipit”
Kur iu drejtua pyet ja se cili pozicion është i preferuari i tij në fushë gjatë konferencës së prezantimit në “Allianz Arena” të mërkurën, Sadio Mane u përgjigj me humor. “Mendoj se njeriu i cili mund t’i përgjigjet më mirë kësaj pyetjeje është këtu përpara”, tha sulmuesi duke bërë me shenjë me një buzëqeshje drejt vendit të Julian Nagelsmanit. Trajneri i Bajernit dëgjonte në radhët e audiencës me shumë kujdes fjalët e para të yllit të tij të ri. “Unë jam një futbollist i cili mund të luajë në tri apo katër pozicione. Do të isha i lumtur vetëm po të mos luaja në portë ose në mbrojtje”, nënvizoi me humor sulmuesi 30vjeçar. Gjatë një interviste për sajtin e klubit të Bajernit, edhe trajneri Julian Nagelsman komentoi transferimin më të rëndësishëm të kampionëve të Gjermanisë këtë verë. Ai ishte një nga njerëzit që këmbënguli që ylli i Liverpulit të transferohej në Mynih këtë verë.
Sa i emocionuar jeni që Bajerni transferoi një futbollist si Sadio Mane?
Shumë. Që prej diskutimit të parë që patëm ai la një përshtypje se është një njeri shumë vetëmohues dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme për një emër kaq të madh. Ai tha me goxha modesti se mund ta imagjinojë veten të luajë në çdo pozicion. Është e rrallë ta përjetosh këtë në bisedën e parë, që një futbollist ta vendosë veten plotësisht në shërbim të klubit dhe trajnerit. Kjo e nxiti dëshirën tonë për ta bërë transferimin realitet përtej vështirësive edhe më të mëdha.
Cili ishte reagimi juaj kur transferimi u bë realitet?
Ne jemi Bajerni i Mynihut, ne kemi gjithnjë shansin për të bërë oferta për yje të mëdhenj. Ndonjëherë ne prekim limitet tona financiare, veçanërisht me djemtë që luajnë në Angli. Por këtë herë ishte ndryshe me Sadionë, sepse ai kishte një dëshirë të madhe për t’iu bashkuar projektit tonë, klubit dhe shokëve të skuadrës. Unë isha i kënaqur.
Sa fleksibël e bën Mane sistemin e lojës së Bajernit?
Këtë nuk mund ta themi ende me siguri. Duhet të presim dhe shohim se çfarë ndodh në merkato. Por Sadio është një futbollist, i cili mund të luajë lehtësisht në katër apo pesë pozicione dhe mund t’i këmbejë ato gjithashtu gjatë një ndeshjeje.