Sot takim me PSG-NË për Shkriniarin, zikaltrit bllokojnë Milenkoviçin
Pritet akordi mes klubeve, italianët synojnë edhe Sojynçunë
Pritet sot një tjetër raund mes Interit dhe PSG-SË për t’i dhënë drejtim tratativës për Milan Shkrinairin, që momentalisht është ndalur në ofertën e francezëve prej 65 milionë eurosh përfshirë edhe bonuset dhe në kërkesën e zikaltërve që shkon në 75-80 milionë euro. Pavarësisht diferencave në dukje, ajo që filtron nga italianët është se janë gati të dorëzohen nëse propozimi i parisienëve mbërrin në 70 milionë euro bashkë me bonuset, duke qenë se paratë që do të vijnë nga shitja e sllovakut janë ato që do të financojnë operacionet e tjera të merkatos. Për t’u gjendur ka mbetur pikërisht akordi mes klubeve, pasi në dispozicion të mbrojtësit është vendosur një kontratë 5-vjeçare gjatë së cilës do të përfitojë 7.7 milionë euro në sezon, që ka marrë konfirmimin e 27-vjeçarit. Por kur largimi i tij është thuajse i sigurt, Interi e di se duhet ët gjejë zëvendësuesit. Bashkë me Gleison Bremerin që është opsioni i parë, zikaltrit po punojnë edhe për Nikola Milenkoviçin, negociatat për të cilin me Fiorentinën janë më të
avancuara se ato me Torinon për brazilianin.
MILENKOVIÇ - Serbi vlerësohet me 20 milionë euro nga klubi violë, por Interi është ndalur në 15 milionë të tilla, një shifër për të cilën presidenti Komiso duket se do të japë miratimin. Duke ditur këtë, drejtuesit milanezë nuk janë vonuar
dhe kanë arritur në një marrëveshje me 24-vjeçarin të cilit i kanë ofruar 2 milionë euro plus bonuset për firmën që do ta lidhë me zikaltrit për 5 vitet e ardhshme. Sojynçu - Por edhe me mbërritjen e mundshme të Milenkoviçit dhe Bremerit, në Milano nuk përjashtohet mundësia për të parë një tjetër emër dhe në orbitën zikaltër është rikthyer Çallar Sojynçu, qendërmbrojtësi i Lestërit. 26-vjeçari ka një kontratë e cila skadon vitin e ardhshëm me anglezët dhe do të ishte një alternativë e volitshme për Interin që mund të shfrytëzonte këtë fakt për të ulur pretendimet prej 25 milionë eurosh të “Dhelprave”.
Duke parë eksperiencën e turkut, por edhe mundësinë për të qenë një siguri për të ardhmen, Auzilio ka nisur kontaktet e para me Lestërin në fillim të muajit, por momentalisht e gjitha është ende në fazat e para, pasi në Milano presin lëvizjet konkrete për Shkriniarin e Bremerin si fillim.