Panorama Sport (Albania)

Rinovimet, stadiumi e merkatoja, ja frontet e hapura

-

Milani do të rikthehet në grumbullim më 4 korrik, këtë herë me petkun e kampionëve të Italisë dhe me përgjegjës­inë për të përgatitur sa më mirë këtë fazë që do të paraprijë nisjen e sezonit të ri. Stefano Pioli dhe të tijtë duan të mbrojnë titullin e po ashtu të bëjnë një prezantim dinjitoz në Europë, por deri atëherë klubi po punon në disa fronte të cilat pritet të konsolidoj­në të ardhmen e kuqezinjve.

MALDINI-MASARA-GAZIDHIS - Duke e nisur nga kryesia, për Maldinin dhe Masarën është shumë pranë rinovimi i kontratës dhe nga momenti në moment mund të vijë zyrtarizim­i. Me pronësinë e re u përcaktua edhe buxheti për merkaton verore prej 50 milionë eurosh. Me gjetjen e gjuhës së përbashkët për lirinë që do të kishin dy drejtuesit në merkato dhe pavarësinë e tyre në fushat përkatëse, priten shumë shpejt firmat mbi kontratat e reja që do t’i lejojnë Maldinit e Masarës t’i japin vazhdimësi projektit fitues të Milanit. Për Ivan Gazidisin, ndërkohë, do të pritet nëntori, nuk ka asnjë urgjencë për rinovimin e tij.

STADIUMI – Akoma ngelet për të përcaktuar zona ku Milani do të ndërtojë stadiumin e ri ashtu siç nuk dihet ende nëse do të jetë në bashkëpron­ësi me Interin. Për momentin ngërçi po vjen nga zgjedhjet për kryetar bashkie të zonës së Sestos, që është zona ku është projektuar të ndërtohet ambienti i ri dhe më pas do të rinisin bisedimet që të mund t’u sigurojnë kampionëve një impiant modern.

MERKATO – Sigurisht që fronti i cili merr të gjithë vëmendjen dhe që u intereson më shumë tifozëve, është përforcimi i skuadrës dhe afrimet që do të kryhen për ta realizuar këtë. Momentalis­ht “Djalli” ka disa pika kyçe për të cilat duhet të kujdeset, siç është gjetja e një zëvendësue­si për Kesinë, një qendërmbro­jtës në vend të Romanjolit, një fantazist dhe një mesfushor i djathtë sulmues. Të shumtë emrat që synohen me Zijeh për të cilin ka probleme me formulën e transferim­it, Traore që kushton shumë apo Renato Sançesin për të cilin konkurrent është PSG-JA, pa lënë pas dore yjet e Serisë A, Dibalën e Zaniolon të cilët po i ndjek me kërshëri. Kushedi nëse të hënën e ardhshme, në Milanelo, Pioli do të mund të presë edhe dikë tjetër veç atyre që e çuan te triumfi në kampionat më 22 maj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania