Panorama Sport (Albania)

Dinamo nuk e ka më në plane, Diogo drejt largimit

Ka oferta, e ardhmja e braziliani­t sërish në Shqipëri

- FATJON RUPI

Diogo Armando Lo pes da Silva pritet të largohet nga Dinamo para se të mbyllet merkatoja e dimrit. “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit, por edhe nga menaxheri i futbollist­it, se braziliani është jashtë planeve të stafit teknik. Fantazisti e ka të qartë situatën, por në mes është kontrata që ai ka, kështu që duhet gjetur gjuha e përbashkët për ndarjen mes palëve. Për momentin duket se janë disa skuadra shqiptare të interesuar­a për 28vjeçarin, por ende nuk ka një vendim të tij për të tërhequr dokumentet nga kryeqyteta­sit. Ai ka luajtur 512 minuta në total në kampionat me blutë dhe duket se nuk ka bindur me paraqitjen e bërë. Trajneri Nevil Dede e ka aktivizuar në 8 ndeshje, 4 nga të cilat si titullar. Në këto kushte, klubi po ndjek të njëjtën rrugë si me Rexhinaldo­n, pra të arrijë një marrëveshj­e për ndërprerje­n me mirëkuptim të bashkëpuni­mit. Tani mbetet të shihet çfarë do të ndodhë konkretish­t.

ECURIA NË DY VITE E GJYSMË

Diogo ka luajtur vetëm me fanellën e Dinamos deri tani në Shqipëri. Ai erdhi në skuadër në sezonin 20202021, kur blutë ishin në Kategorinë e Parë. Menjëherë u bë idhull për tifozët e “nëndetëses” dhe faktor në rikthimin e kësaj skuadre në elitë pas shumë vitesh. Braziliani shënoi 9 gola në gjysmën e atij sezoni. Më pas, kur ekipi ishte pjesë e Superiores sezonin që shkoi, ai nuk mundi të luante për shkak të një dëmtimi, që e detyroi të kryente një ndërhyrje kirurgjika­le. U rikthye në fund të sezonit të shkuar dhe pritej që tani, sërish në Kategorinë e Parë, ai të kthehej përsëri protagonis­t, por nuk ka ndodhur kështu. Braziliani nuk ka mundur të shënojë asnjë gol për aq sa ka luajtur, por edhe niveli i lojës nuk ka qenë ai që drejtuesit prisnin, ndaj dhe në këtë moment është menduar për t’i ndarë rrugët. Në vazhdim të këtij edicioni, te 18 herë kampionët e vendit do të mbetet vetëm një brazilian dhe ai është sulmuesi Hoze Denison Silva dos Santos. Merkatoja në hyrje e bluve mbetet e hapur. Drejtuesit vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur së pari çështjen e portierit. Me skuadrën, ndërkohë, po stërvitet trekuartis­ti Ergi Ajazi, siç gazeta ka bërë me dije pak ditë më parë. Ndoshta ardhja e këtij të fundit ka bërë që të mbyllen përfundimi­sht hapësirat edhe për Diogon.

 ?? ?? Diogo da Silva, mesfushori 28-vjeçar
Diogo da Silva, mesfushori 28-vjeçar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania