Panorama Sport (Albania)

“Qëndrojmë me këmbë në tokë, Dinamo po hedh rrënjë të forta”

- F.RUPI

Nuk ka më deklarata pompoze te klubi i Dinamos. Presidenti i saj, Ardian Bardhi, pas zhgënjimit të madh në sezonin e kaluar, kërkon që të ecet me këmbë në tokë, duke punuar pa zhurmë për ndërtimin e një klubi të shëndoshë për të ardhmen. Duke shpresuar se skuadra do të ngjitet në elitën e futbollit shqiptar, ai e përqendron vëmendjen te hedhja e rrënjëve të forta si klub, në mënyrë që Dinamo të mos përjetojë zhgënjime të tjera në vazhdim. “Ne jemi në një fazë, ku jo vetëm duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, por duhet t’i ngulim thellë brenda saj. Po punojmë këto kohë për të hedhur rrënjët e forta të një klubi, siç i takon Dinamos që të jetë. Ju e dini që meraku im më i madh është shtëpia e Dinamos dhe thuajse jemi në fund të punimeve në kompleksin tonë në Arbanë”, tha fillimisht Bardhi. NGJITJA- Ndërkohë numri një i klubit blu foli edhe për pozitat në kampionat. “Skuadra nga ana tjetër është në vend të parë në kampionat dhe shpresojmë se do të jemi në Superiore sezonin e ardhshëm. Duam të bëjmë çdo gjë si duhet që Dinamo të jetë ai faktor që presin tifozët dhe dashamirës­it e saj në futbollin shqiptar. Tani është koha vetëm për punë në aspektin sportiv dhe në atë administra­tiv. Kam shumë besim se duke punuar me qetësi do të arrijmë atje ku duam, pra që të kemi një klub Dinamo model. Të marrim ndeshjet një e nga një, duke nisur nga kjo me Luzin. Kemi lojtarë të talentuar, që nesër do të jenë aset dhe do t’i shërbejnë Dinamos sportivish­t dhe financiari­sht, siç ndodhi me rastin e Simonit. E përsëris, jemi në një fazë ku vetëm duhet punuar, rezultatet ia lëmë kohës”, - ka thënë presidenti Bardhi për “Panorama Sport”.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania