Panorama Sport (Albania)

Veleçiku gjunjëzon Naftëtarin

Kryendeshj­a e Grupit A fitohet nga koplikasit, ndërsa kuçovarët humbasin terren Banushaj supergol, shënojnë edhe Hajdari e Rragami. Trajneri Smajli: Jemi në rrugën e duhur

- ARBEN ÇEPANI

Veleçiku mposht Naftë tarin me shifrat 3-1 dhe i afrohet gjithnjë e më shumë kreut të tabelës, teksa bashkë me Valbonën po i bëjnë presion Sopotit kryesues, që luan nesër kundër Adës në Velipojë. Kuçovarët humbën një shans të artë për të qenë në korsinë e skuadrave pretendent­e në grupin A, edhe pse ka shumë javë ende për t’u luajtur. Në një terren të rënduar, koplikasit u treguan më të saktë në shfrytëzim­in e rasteve për shënim. Madje kanë përfituar jo pak nga disa gabime në mbrojtjen kuçovare. Pikërisht në minutën e 11-të, Arsen Hajdari shfrytëzoi në maksimum një pasiguri të miqve, duke kaluar Veleçikun në avantazh. Goli i pësuar çoroditi Naftëtarin, ndërsa në minutën e 24-t, një goditje dënimi e koplikasve u kthye në gol nga kapiteni Banushaj. Mbrojtësi gjuajti mjaft bukur me të majtën nga rreth 22 metra, duke lënë të palëvizur portierin Shumeli. Me shifrat 2-0 përfundon pjesa e parë, teksa në të dytën, kuçovarët luajnë më mirë. Miqtë rihapin takimin me anë të sulmuesit Saraçi, por gabojnë më pas. Duke qenë në kërkim të golit të barazimit, Naftëtari lë hapësira dhe pëson të tretin, që vulos fitoren e skuadrës së Dritan Smajlit. Rragami godet në hyrje të zonës në minutën e 74-t dhe mbyll historinë e ndeshjes së zhvilluar në fushën sportive, “Vëllezërit Duli” në Koplik. Me këtë fitore Veleçiku është ngjitur në kuotën e 18 pikëve dhe mban vendin e tretë, ndërsa Naftëtari është i pesti me 13 pikë. Në javën e ardhshme skuadra nga Malësia e Madhe ka një përballje shumë domethënës­e në transfertë, pikërisht ndaj rivalëve të Vorës.

TRAJNERI - Dritan Smajli ka bindjen se Veleçiku është në rrugën e duhur. Në një prononcim pas fitores me Naftëtarin, trajneri lezhjan i koplikasve theksoi se ekipi është forcuar më shumë në këtë pjesë të dytë të kampionati­t dhe synimi është pa diskutim kreu i renditjes. “Arritëm një fitore të merituar ndaj Naftëtarit. Djemtë treguan një përgatitje të mire fizike dhe e zgjidhën shpejt ndeshjen. Mendoj se kemi më shumë cilësi në skuadër pas ndryshimev­e që janë bërë në merkato. Lojtarët që kemi pasur me shumë përvojë janë gërshetuar tashmë me elementin e ri dhe presim të kemi vazhdimësi në rezultate. Ju siguroj se brenda pak vitesh, Veleçiku nuk do të ketë nevojë të marrë shumë lojtarë jashtë Malësisë së Madhe. Veleçiku do të vazhdojë të pretendojë fort deri në fund dhe sigurisht që shpresojmë të fillojë puna sa më parë për ndërtimin e stadiumit të ri”, ka thënë Smajli pas ndeshjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania