Panorama Sport (Albania)

Sherri: Për pritjen më ndihmoi Puja

-

Portieri i Egnatias, Alan Sherri, ishte një nga më të mirët në barazimin ndaj Partizanit. Ai shpëtoi portën disa herë dhe pritja më vendimtare ishte ajo e penalltisë së Carës. Pas sfidës, Sherri u shpreh i kënaqur për pikën e marrë, duke parë mënyrën si shkoi ndeshja.

BARAZIMI - "Për mënyrën se si u zhvillua loja, jam i kënaqur edhe me një pikë, sepse e marrim përballë Partizanit, që është një ekip pretendent. Pjesa e gjykimit na ka dëmtuar sot, por jam i kënaqur edhe me këtë rezultat. Qëkur kemi hyrë në kampionat, objektivi ishte të hynim në Europë, por do të jetë e vështirë deri në fund, sepse kalendari është me ndeshje shumë të ngjeshura".

PENALLTIA - "Për sa i përket penalltisë, mesa mbaj mend, bëra lëvizje për të hutuar Tedin (Carën), por nuk e di nëse isha përpara vijës. Doja t'i jepja meritë portierit Bruno Puja, sepse më ndihmoi shumë. U konsultova me të përpara se ta prisja penalltinë".

OBJEKTIVAT - "Asnjëherë s'kam qenë më i rezervuar se tani në një intervistë, sepse është vështirë dhe për të folur për Europën. Duke parë Erzenin, që nuk ka investuar shumë dhe ka arritur goxha gjëra, asgjë s'është e pamundur. Shpresojmë deri në fund, pasi ne do të luftojmë".

ROKADAT NË STOL - "Janë bërë disa ndërrime trajnerësh, por ndonjëherë del për mirë, sepse na motivon për të dalë edhe nga vetja. Jam i kënaqur që dolëm me pikë, se ndryshe nuk do t'ia falnim vetes".

SULMUESIT - "Ia kam frikën Duamenës në stërvitje (qesh). Pas largimit të Skukës dhe Xhixhës, Shkurtaj është shumë i mirë dhe Mazrekaj është i rrezikshëm. Bekim Balajt i uroj shumë fat dhe ka bërë gjënë e drejtë duke u rikthyer në Shkodër. Ka marrë vendimin ideal duke u kthyer në vendin e tij", u shpreh Alan Sherri në një prononcim për "Oversport".

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania