Panorama Sport (Albania)

Rinis futbolli pas 40 ditësh, ka vuajtje, cinizëm dhe ankesa

-

Pas 40 ditësh, Kategoria e Parë u rikthye. Pushimeve të stërzgjatu­ra u erdhi fundi. 14 skuadra zbritën në fushë të shtunën për të mbyllur fazën e parë dhe duhet thënë që surprizat nuk munguan. Në javën e 13-të pati ndalesa, penallti, kartonë të verdhë e të kuq dhe si gjithnjë akuza për gjykimin. Pati ankesa nga Flamurtari, Besa dhe Tërbuni. Ajo që ra në sy në 7 ndeshjet e zhvilluara, ishte... cinizmi. Nuk pati goleada, aq sa askush nuk shënoi më shumë sesa dy gola.

Dinamo u shpall zyrtarisht “kampione dimri”. Vuajti jo pak, por e theu Luzin që kishte 4 muaj pa humbje (8 ndeshje radhazi ekzaktësis­ht). Protagonis­t i padiskutue­shëm u bë Redon Danaj, me dopietën e tij. Sikletet ia hapën vetes me atë autogol dhe kur mbetën me 10 lojtarë. Eni Imami, në tentativë për të larguar rrezikun, e çoi vetë topin në rrjetë dhe Silvio Vokrri u skuq pas të verdhëve. E megjithatë, në fund morën çka deshën. Kryesojnë me 3 pikë të shkëputur dhe prapa nuk kanë më Flamurtari­n, por Korabin me Skënderbeu­n. Kuqezinjtë dolën “xhap” në Fier. Kur pritej që të konfirmohe­shin si pretendent­ë kryesorë për ngjitjen, e pësuan dhe humbën vendin e dytë. U parakalua nga dy ekipe dhe tashmë kanë nisur të kenë “ftohtë”, pasi janë -4 nga blutë. Apolonia mori një trepikësh shprese falë Super-marios. Me të njëjtin rezultat ia doli edhe skuadra e Shpend Kumbarçes. Në Lezhë ishin ata që dolën fitimtarë falë rrjetës së Vilson Lilës dhe tashmë kanë kapur pozita më shumë se komode. Për Besëlidhje­n nuk ka ku të shkojë më keq. Edhe pse bënë një “mal” me ndërhyrje në merkato, vazhdojnë të jenë të fundit dhe rënia duket gjithnjë e më pranë. Skënderbeu vazhdon ngjitjen si me “ashensor” dhe bindshëm është futur në garë për mision madhor. Mundën 2-0 Lushnjën me një penallti të Dean Liços dhe golit të Sumaila Abubakar dhe tani janë të tretët. Për verdhejesh­ilët situata nuk është aspak premtuese dhe nuk po i largohen dot zonës së rrezikut. Për Besën nuk ishte nisja e pritshme, ndonëse në transfertë. Avantazhi i shpejtë i Donati Tomës mbeti në fuqi deri në finish për Burrelin. Kavajasit kanë pretendime për gjykimin dhe hapur Gugash Magani reklamoi një gol të anuluar dhe një penallti të padhënë. Tomori nuk fali në shtëpi. Përballë Turbinës vendosën Lauren Ismailaj nga pika e bardhë dhe Klaus Alinani. Tani janë larguar nga telashet, madje janë të bindur që mund të luftojnë për “play off”-in. Në kushte komode vazhdon Tërbuni, ndonëse nuk shkoi më larg se barazimi në Orikum. Gjithçka u mbyll 0-0 në qytezën bregdetare, ku pukjanët e mbrojtën pikën, edhe pse mbeten në inferiorit­et numerik për më shumë se 30 minuta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania