Panorama Sport (Albania)

Erblira Bici, magjike me Romën: Kupa ishte qershia e parë mbi tortë, tani të shkojmë në A1

“Fitoren e doja për tri arsye, ndihem shumë mirë në këtë qytet”

- ARTIN LLESHAJ

Unë nuk jam një person superstici­oz, siç janë shumica e vajzave italiane të ekipit (shaka), por shpresoj të vazhdoj me ritmet që kemi ecur deri tani. Kjo ishte një qershi e parë mbi tortë, që na jep stimul për të luftuar për një objektiv akoma më të madh, ngjitjen në Kampionati­n A1”.

Erblira Bici po zhvillon një sezon të shkëlqyer me Romën, ndërsa të di elën regjistroi një rezultat të madh duke fituar Kupën e Italisë A2 me skuadrën kryeqyteta­se. Kapitenia e Kombëtares shqiptare të volejbolli­t ishte thjesht fantastike në fitoren 3-0 të Romës kundër Breshias. 27vjeçarja realizoi plot 20 pikë për skuadrën e saj, duke qenë edhe shënuesja më e mirë e finales, për të marrë edhe çmimin MVP. Një rezultat historik për Romën, që po bën një sezon të mrekullues­hëm. Pas këtij suksesi, në një intervistë për “Panorama Sport”, Bici rrëfen emocionet e finales. Ajo përmend tri arsye pse e kërkonte kaq shumë këtë fitore në Kupë, ndërsa thekson se tashmë e gjithë vëmendja është për t’u ngjitur në Serinë A1. Bici flet edhe për jetën jashtë parketit, teksa shprehet se ndihet shumë mirë në kryeqyteti­n italian.

Era, një pjesë e parë e sezonit fantastike për ju dhe Romën. E prisnit një edicion të tillë?

Ju falënderoj, është e vërtetë që ka qenë një pjesë e parë e sezonit mjaft e mirë. E prisja deri diku, por ajo, e cila është e rëndësishm­e është që ky sukses ka ardhur nga një punë e vazhdueshm­e e palodhur e gjithë lojtareve së bashku me stafin. Nuk do të doja të ulja vlerën e dy ekipeve që u përballëm në gjysmëfina­le dhe finale, por Roma tregoi që ka një marsh më shumë.

Së fundmi fituat edhe Kupën e Italisë, duke qenë edhe lojtarja më e mirë e ndeshjes. Na tregoni pak për finalen dhe emocionet e përjetuara në Bolonja?

Kjo finale për mua kishte një rëndësi të veçantë. Së pari, siç e shpjegova, në gjysmëfina­le dhe finale ne u ndeshëm me dy nga ekipet më të forta të Grupit B, me të cilat nuk ishim përballur asnjëherë dhe duhet të tregonim personalit­etin e skuadrës. E dyta kishte lidhje direkt me mua dhe dy nga bashkëlojt­aret e ekipit tim, me të cilat kam luajtur të njëjtën finale 5 vite më parë në të njëjtin qytet, në Bolonja me ekipin Mondovi. Atëherë rezultati nuk ishte pozitiv dhe ky ishte shansi i mirë për t’u rikthyer fitimtare nga Bolonja. Ndërsa e fundit në aspektin personal, pas një dëmtimi relativish­t të lehtë në ndeshjen e fundit të vitit që lamë pas, doja të kisha një impakt deciziv te kjo finale.

Ju jeni e mësuar me tituj, duke u shpallur

madje edhe kampione e Europës, por në finalen e së dielës ishte një sukses ku ishit protagonis­tja absolute e ndeshjes. Cilat ishin ndjesitë?

Jam krenare edhe për sukseset ku mbase nuk kam qenë protagonis­te. Për këtë finale ndihem shumë mirë me veten time në radhë të parë për shkak se dhashë maksimumin dhe arritëm suksesin. Një sukses që Roma Volley nuk e kishte arritur asnjëherë në historinë e saj.

Keni ndonjë dedikim për këtë triumf?

Si gjithmonë edhe këtë sukses ia dedikoj familjes sime dhe gjithë dashamirës­ve e mbështetës­ve. Është një ndjesi e mirë dhe jam befasuar sa shumë persona e kanë ndjekur ndeshjen ditën e diel.

Ju pamë edhe me flamurin shqiptar gjatë festës...

Flamurin kuqezi ma kanë sjellë nga Tirana dy miqtë e mi. Jam krenare gjithmonë për vendin tim dhe jam munduar ta përfaqësoj denjësisht.

Kemi një Romë të pathyeshme. Cili mendoni se ka qenë sekreti i këtyre rezultatev­e?

Pavarësish­t se ekipi është krijuar me një objektiv të qartë, vazhdimësi­a në kampionat vendoset nga një sërë faktorësh, që janë të njohur në botën e sportit dhe jo vetëm në volejboll. Deri tani ekipi ka treguar besim të fortë në forcat e veta, unitet dhe mbi të gjitha profesiona­lizëm.

Çfarë pret Erblira Bici nga pjesa e dytë e sezonit?

Unë nuk jam një person superstici­oz, siç janë shumica e vajzave italiane të ekipit (shaka), por shpresoj të vazhdoj me ritmet që kemi ecur deri tani. Kjo ishte një qershi e parë mbi tortë që na jep stimul për të luftuar për një objektiv akoma më të madh, ngjitjen në Kampionati­n A1.

Ju kemi parë gjithnjë të zgjidheni si lojtarja e preferuar e tifozëve. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Siç e thashë, i falënderoj mbështetës­it e mi, të cilët qoftë dhe duke dërguar votat e tyre, më vlerësojnë. Tifozët këtë vit kanë qenë pjesë e pandashme e ekipit dhe në disa transferta të largëta.

Të kalojmë pak jashtë parketit. Si kanë qenë për ju këta muaj në kryeqyteti­n italian? Çfarë ju pëlqen më shumë nga Roma?

Roma është një qytet që më pëlqen shumë, me të njëjtën klimë si ne, ka histori në çdo anë të saj. Është veçanërish­t e njohur për kulinarinë, ku dhe në vendin që në pamje të parë mund të mos jetë aq luksoz sa restorante­t shqiptare, mund të provosh pjata tipike që të lënë pa mend. Si përfundim është një qytet me njerëz solarë dhe simpatikë si romanët. Ndihem mirë, gjendem mirë me njerëzit dhe kjo është gjeja më e rëndësishm­e. Për më tepër vetëm 1 orë larg nga Tirana. Kohën e lirë kur nuk më duhet të shkoj në fizioterap­i apo të pushoj, mundohem ta kaloj me shoqërinë.

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania