Panorama Sport (Albania)

Gjoni: Shqipëria nuk është treg i panjohur, një trampolinë e mirë

- FATJON RUPI

Amarildo Gjoni e sheh Dinamon si “trampolinë”. Pak ditë më parë firmosi kontratën me kryeqyteta­sit dhe është i lumtur për zgjedhjen e bërë. Sulmuesi me origjinë nga Dukagjini dhe i rritur në Shkodër, tregon se u bind dhe pritshmëri­të që ka për të ardhmen. Vlerëson projektin që kanë blutë, ndërsa në një intervistë për “Panorama Sport”, pranon se tashmë Shqipëria është një vitrinë e mirë për futbollist­ët e rinj, pasi vlerësohet më shumë nga klubet e huaja. Por së pari, 23-vjeçari kërkon të bëjë mirë me dinamovitë­t.

Gjoni, pse e latë Italinë dhe vendosët të ktheheni në Shqipëri?

U ktheva në Shqipëri, sepse mendova se është një projekt interesant ky i Dinamos. Menaxheri im më foli për planet që kanë drejtuesit e këtij klubi, duke më thënë se duan të bëjnë diçka të mirë. Dhe thashë: pse të mos e provoj në Shqipëri? Pastaj Dinamos është një skuadër me emër të madh në futbollin shqiptar.

A është e vërtetë që keni pasur kontakte me Tiranën një vit më parë?

Po, është e vërtetë. Kemi pasur kontakte me Tiranën, por në atë kohë nuk u finalizuan bisedimet. Tani ramë dakord për gjithçka dhe jam bashkuar me Dinamon.

Nuk ju stepi pak fakti se kjo skuadër, pavarësish­t emrit dhe traditës, është në Kategorinë e Parë?

Jo, nuk e mendova kështu. Mendova se është mirë që të bashkohem që tani me këtë grup, njihem edhe më mirë me skuadrën, që shpresoj ta ndihmoj sa më shumë në vazhdim. Për këtë kam ardhur. Dua të them se Shqipëria tani nuk është më një treg i panjohur, është një trampolinë e mirë për futbollist­ët e rinj, siç po e tregojnë edhe lëvizjet e fundit që po bëhen. Dhe kjo është diçka pozitive për të gjithë ata, të cilët duan të arrijnë objektiva të mëdhenj.

Vini pas një dëmtimi, kur mund të jeni gati për Dinamon?

Po, kam lënë pas një dëmtim. Jam rikuperuar, por tani po bëj një stërvitje specifike për të kapur formën optimale. Besoj se për 10 ditë do të jem gati për Dinamon.

Te Dinamo kanë kërkuar një numër 9 dhe besojnë se e kanë gjetur me afrimin tuaj. Keni një mesazh për klubin dhe tifozët?

Shpresoj të jetë kështu. Tani dua të luaj dhe të jap më të mirën time për këtë skuadër. Nuk më pëlqen të bëj premtime, thjesht do të thosha që gjithçka t’ia lëmë kohës. Të shohim avashavash, uroj të bëjmë gjëra të mira për objektivat e klubit. Ajo që mund të premtoj është maksimumi nga ana ime. Dua të falënderoj drejtuesit e Dinamos dhe menaxherin tim për këtë mundësi që më kanë dhënë.

 ?? ?? Amarildo Gjoni, sulmuesi 23-vjeçar
Amarildo Gjoni, sulmuesi 23-vjeçar

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania