Panorama Sport (Albania)

Klop: Çelsi? Po fola mund të më arrestojnë

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Liverpuli, por edhe Çelsi, ndajnë mes tyre vendin e 9/10, në renditjen e Premier Ligës, duke rrezikuar seriozisht pjesëmarrj­en në Champions sezonin e ardhshëm, me vendin e katërt që është 10 pikë larg. Gjithsesi, blutë kanë bërë çmendurinë në këtë merkato janari duke shpenzuar 327 milionë euro për afrime të rëndësishm­e në skuadër si Mudrik, Badiashile, Madueke, Gusto (ky zbarkon në verë), Santos, Fofana, plus huazimin e Zhoao Feliks. Dhe pikërisht kjo listë e gjatë, jo vetëm emrash, por qindra miliona eurosh, ka tërbuar jo pak Jyrgen Klopin, i cili në konferencë­n e djeshme për shtyp, përpara ndeshjes së sotme në transfertë ndaj Uolvesit ka shfryrë: "Nuk dua të them asgjë për Çelsin pa pasur pranë avokatin tim, - startoi duke qeshur Klop. - ndryshe rrezikoj të më arrestojnë. Po tani realisht nuk arrij të kuptoj se si mund të jetë e mundur kjo gjë, edhe pse nuk jam unë ai që duhet të shpjegoj se si funksionoj­në këto gjëra. Nuk arrij ndoshta unë me kapaciteti­n tim ta kuptoj këtë temë biznesi, por sigurisht që bëhet fjalë për shifra kolosale. Sido që të jetë, Çelsi ka blerë realisht futbollist­ë shumë të zotë, prandaj më duhet t'u bëj kompliment­et e mia atyre". Edhe pse në këtë fjali të fundit kishte pak sinqeritet nga ana e trajnerit të Liverpulit, Klop shpreson te kthesa ndaj Uolvesit: "Jemi në një situatë shumë të shëmtuar, teksa në tri ndeshjet e fundit kemi marrë vetëm 1 pikë. Prandaj unë shpresoj që të dimë të reagojmë dhe të nisim të bëjmë gjërat siç duhet, pasi situata po trashet shumë dhe sa më tepër kalojnë ndeshjet, aq më e vështirë bëhet. Ne, ashtu si Uolvesi, jemi në një situatë tepër delikate, duke dalë jashtë objektivav­e tanë, prandaj do të jetë një sfidë që duhet kapur nga brirët", përfundoi tekniku gjerman.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania