Panorama Sport (Albania)

Herri Kejn bën festë kundër Sitit, Arsenali falënderon

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Ka nga ato fitore me peshë që mund të ndryshojnë një sezon dhe Totenhemi është i bindur se suksesi i djeshëm 1-0 ndaj Mançester Sitit mund të jetë një prej tyre. Ai që firmos triumfin ishte Herri Kejn, në minutën e 15-të, i cili me një gol jo vetëm që bëhet goleadori më i mirë i historisë së klubit (267 realizime në të gjitha kompeticio­net), por në të njëjtën kohë edhe i treti më i mirë i historisë së Premier Ligës me 200 të tillë, duke pasur përpara vetëm Uejn Runin me 208 dhe Alen Shirerin me 260. Në të njëjtën kohë, ajo e Totenhemit ishte edhe fitorja e grupit, e frymës së bashkimit që i ka ushqyer Antonio Konte që kur ka ardhur në këtë ekip. Edhe pse trajneri ishte në Itali, pas operimit të kryer, skuadra luftoi edhe për të, për t'i dhënë një përshëndet­je nga larg dhe një përgjigje shumë të fortë se në momentet e vështira dinë që të trembin edhe kampionët e Anglisë në fuqi. Dhe ashtu ishte, sepse kishte kohë që nuk shihej një Totenhem që nuk kreu gabime në fushë, krijoi volum, u sakrifikua dhe arriti kështu fitoren e parë në duelet direkte për sa u përket "7 motrave" që luftojnë për titullin (përfshirë këtu sivjet edhe Njukasëlli­n). Në fund, këto tri pikë ishin shumë të vlefshme për të qëndruar pranë zonës "Champions" dhe çfarë ishte më e bukura, festa e merituar e tifozëve të Totenhemit, që nuk ngurruan t'i thurnin kore edhe trajnerit të tyre, Antonio Kontes, që do t'i ketë shijuar shumë nga dhoma e spitalit. Ndërkohë, fytyra tjetër e medaljes së sfidës së djeshme është ai Mançester Siti që vazhdon të konfirmojë problemet e mëdha në mbrojtje. Trajneri Pep Guardiola së fundmi e ka përmendur shpesh se skuadra e tij ka humbur mentalitet­in fitues, atë të të

luajturit në grup, i cili duket se po nxjerr nga binarët edhe vetë strategun spanjoll. Kjo, pasi edhe zgjedhjet e tij në sfidën e djeshme meritojnë të rishihen, pasi duke lënë jashtë Kevin de Bryjnen, u bë shumë i lexueshëm, shumë i ngadaltë, e kundërta e asaj kur belgu zbriti në fushë në pjesën e dytë. Gjithsesi, as me fantazinë e De Bryjne dhe as me superiorit­etin numerik të minutave të fundit (Romero la

Totenhemin me 10 lojtarë), Siti nuk arriti që të provojë të marrë qoftë edhe 1 pikë, duke djegur kështu asistin që i kishte dhënë Evertoni të shtunën, pasi mundi Arsenalin, i cili përveç 5 pikëve avantazh që ruan, ka edhe një ndeshje më pak sesa "Qytetarët". Shkurt, brenda një pasditeje londineze, Siti dhe Guardiola hodhën mundësinë më të artë në erë për të provuar së rihapuri Premier Ligën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania