Panorama Sport (Albania)

Në gegënisht kësaj i thonë “mos me shkue në stadium”

* ...Dhe nënshtroju televizion­eve “shqiptare” të Serisë A apo të Premier Ligës a Bundesligë­s.

- BESNIK DIZDARI

Kjo javë do të mbetet në histori. Kësh tu, sepse ka ndodhur një ndër çr regullimet më të rralla në gjithë historinë e Kampionati­t Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

U luajtën – për çudi të enjten (6) dhe të premten (2) - ndeshjet e Kupës së Shqipërisë në futboll. Të shtunën asnjë ndeshje e kampionati­t. Me sa duket për t’u dhënë liri të plotë ndeshjeve të huaja!? Në gegënisht (pra, jo “gegërisht”), kësaj i thonë “mos me shkue në stadium”. Ose ndryshe: “ruej se shkon në stadium!”.

Të dielën, po ashtu asnjë ndeshje e kampionati­t. Papritmas, të hënën, ditë pune, 2 ndeshje të kampionati­t (Egnatia – SK Tirana dhe Partizani - KF Laçi). Dhe në ç’orë? Mû në orën 13.00, ndoshta ngaqë mendojnë se punëdhënës­it të hënën në mesditë e kanë në kontratë se kur ka ndeshje të kampionati­t ndërpritet puna, edhe pse ajo mund të jetë në kulmin e saj!

Mandej, të nesërmen, e martë, 7 shkurt 2023, plot 3 ndeshje të tjera (Kastrioti – Erzeni, Teuta – Bylis, Vllaznia – KF Kukësi), njëra në orën 13.00, tjetra në orën 16.00 e tjetra në orën 19.00!

Ky është një rekord europian i llojit, kur tri ndeshje të një kampionati me vetëm 10 skuadra e vetëm 5 ndeshje, pra 60 për qind e ndeshjeve të tij, zhvillohen në një pasdite jo të një të diele apo të shtune, por të një të marte. Dhe merret me mend që janë orare e ditë pune, pra. E mandej? Mandej stadiumet bosh!

Kaq! Shkrimi të duket se përfundon këtu. Në të vërtetë jo. Nuk mund të përfundojë këtu. Ai vazhdon vetvetiu. Dhe ja si vazhdon:

Shqipëria është ndër shtetet e rralla që nuk është në gjendje të kompozojë a përpilojë kalendarë të paluajtshë­m kombëtarë të kampionati­t të saj të futbollit. Datat e publikuara kanë vetëm një të vërtetë: vetëm datën e fillimit të kampionati­t. Mandej “kompozicio­ni” i kalendarit, në spontanite­t të plotë, rikrijohet çdo javë, krejt ndryshe nga çka ky kalendar është përpiluar e botuar në prag të kampionati­t.

Ky është një jodisiplin­im që, përveç të tjerave, flet për mangësi kulturore e sociale tek ata që drejtojnë futbollin në Shqipëri; një lloj jodisiplin­imi ideal për të fragmentiz­uar deri në çoroditje ecurinë e Kampionati­t të saj Kombëtar. Si në asnjë shtet tjetër të Europës!

Dhe mû këtu çoroditja nis e thellohet deri në skaj. Një çoroditje që, përveç shkaqeve të tjera, ndikon tejet për largimin e spektatorë­ve nga stadiumet shqiptare. “Poetikisht” kësaj i thonë “mos me shkue në stadium”. Ose ndryshe: “ruej se shkon në stadium!”.

Në Shqipëri dashamirët e futbollit gati përditë rrinë e pyesin njeri-tjetrin se kur - dhe ku madje - luan bie fjala, SK Tirana me Teutën, Vllaznia me Erzenin a Kastrioti me Egnatian. Pa hyrë në oraret që janë çoroditje e pafund në paqëndrues­hmërinë e tyre, kurrsesi të një stili e rregulli që, pse jo, duhet të jetë tradiciona­l. Për të mos thënë “konservato­r”, në kuptimin e një seriozitet­i qytetar e të nivelit dinjitoz kulturor të kësaj fjale. Kështu që, për fat të keq, shpesh nuk arrin të marrësh vesh përse kjo ndeshje është në orën e punës 13.00 dhe tjetra në orën e “paspunës” 19.OO. Në të shumtën, pa respektuar për së mbari as vetë rëndësinë e ndeshjes.

Dihet ndërkaq, kampionati tejet i varfër i Shqipërisë ka vetëm 5 ndeshje. Dhe t’i copëzosh asisoj ditët e oraret e zhvillimit të këtyre 5 ndeshjeve të vetme, kjo është goditja më e rëndë që kampionati merr.

Tashmë mendohet qartë se veprohet kështu për t’u lënë hapësirë transmetim­eve televizive të ndeshjeve të shteteve të tjera. Po a me të vërtetë snobizmi “italo-anglo-gjermano-spanjollo-francez”, ksenomania pseudoeuro­piane e futbollit të tjetërkujt, gjithnjë me në krye komerciali­zmin televiziv, është ai që sundon në Shqipëri?

E pra, edhe një fillestar e kupton që Kampionati Kombëtar i Shqipërisë me vetëm 5 ndeshje nuk duhet t’i shpërndajë këto si mos më keq, t’i fragmentiz­ojë deri në këtë skaj.

Duke shkuar te shënimet e mia të disa kohëve më parë, që më duhen për librin e gazetarisë, gjej këto radhë:

“...Dihet fort mirë se atdhetaria dhe gazetaria janë të lidhura ngushtë. Mirëpo, ndërsa po luhej ndeshja e rëndësishm­e e kampionati­t të Shqipërisë, një televizion shqiptar transmeton­te ndeshjen Cagliari – Lazio, që kuptohet se është e Italisë dhe jo e Shqipërisë. Por nuk ka fort rëndësi. Mirëpo, ja që ndërkohë, në Stamboll ishte zhvilluar Kampionati Ballkanik i atletikës së lehtë në sallë. Kishte ndodhur që tre atletë shqiptarë të arrinin rezultate të shkëlqyesh­me. U lodha duke kërkuar për të parë apo dëgjuar rezultatet e tyre prej ndonjë televizion­i shqiptar, por asgjë. Ndërkaq, teksa Partizani e SK Tirana po luanin ndeshjen e tyre çuditërish­t si rrallëherë vitet e fundit para nja 12.000 shikuesve, televizion­i në fjalë që transmeton­te ndeshjen Cagliari – Lazio me tre komentator­ë në studio vazhdonte me komente mbasndeshj­en italiane, pra joshqiptar­e, për gati një orë. Mû këtu lind dhe problemi i atdhetaris­ë dhe i gazetarisë televizive...”

Këto shënime, në arkivin tim, për një çast duket se më janë vjetruar, por mjafton të ndërrohen emërtimet e ngjarjes dhe gjithçka mbetet po aktuale. Madje, tash mund të ndodhë që të ketë një orë analizë deri dhe para fillimit të ndeshjes. Kjo nuk ngjet askund në Europë për një ndeshje të një shteti tjetër.

Është krejt e çuditshme se si ka mundësi që shkuan punët deri këtu pra: që një televizion shqiptar të komentojë një orë të tërë, para e pas zhvillimit, një ndeshje të kampionati­t të një shteti tjetër, edhe kur zhvillohet një ndeshje, madje e rëndësishm­e, e kampionati­t të kombit tënd, të atdheut tënd! Na duhet të pranojmë se nuk ka braktisje më të qartë deri dhe të ndjenjës kombëtare që duhet të na mbërrijë edhe përmes futbollit.

Tema nuk është e re. Madje është fort e

vjetër. Risia e kësaj here gjendet në 5 ndeshjet e kampionati­t të pesta të ndara në dy ditë pune.

Dhe është interesant­e, vërtetë! Në Shqipërinë e sotme ato nuk quhen më as ndeshje, madje. Quhen sfida. Kësisoj, nuk thuhet më “ndeshjet e kësaj jave janë këto”, por thuhet se “sfidat e kësaj jave janë këto”. Nuk denjohet as të hapet fjalori për të mësuar sadopak kufijtë e kuptimit universal të fjalës së huaj “sfidë”, kur dihet se e pakta ajo ka nja katër interpreti­me kuptimi. Pa shkuar tek ajo tjetra: që qysh në vitet ‘20 i kemi thënë shqip “ndeshje”. Pra, “ndeshjet e kësaj jave”, dhe jo “sfidat e kësaj jave”.

Si mund të shpëtohet prej kësaj ksenomanie, në këtë rast futbollist­ike? (E, “ksenomani” do të thotë “pasion i skajshëm për gjërat e huaja”.)

Para së gjithash, do të mendoja se mund të shpëtohet duke diskutuar, duke analizuar, duke u mbledhur e biseduar për t’u bindur se ky barbarizëm gjuhësor në transmetim­et e analizat televizive ka marrë përmasa të tejskajshm­e. Deri aty saqë me përparësin­ë që ka rrëmbyer, ka cenuar fort pastërtinë e gjuhës shqipe. Çka natyrisht që vjen edhe prej padijes së gjuhës shqipe të këtyre “autorëve”.

Televizion­et e Shqipërisë kanë mbërritur deri aty saqë në lajmet kryesore të ditës guxojnë deri si më poshtë:

Një televizion shqiptar, titullonte të shkruar, në lajmet kryesore të ditës, këtë lajm: “Donnaruma me kovid!” Madje e përsëriste në lajmet e dy emisioneve kryesore, ndonëse ishte fjala për një futbollist italian, i cili as nuk luante në Itali, doemos kurrsesi në Shqipëri. Pa harruar se “kovidi” i tij ishte krejt i lehtë.

Një televizion tjetër jepte mbi 1 minutë lajm, jo për ndeshjen, por për pragndeshj­en Real - Barcelona. Dhe këtë jo në një rubrikë sportive, por në emisionin e lajmeve kryesore të ditës.

Një tjetër njoftonte me komente dhe deklarata trajnerësh për Kupën e Italisë që ishte zhvilluar 24 orë më parë.

Një televizion tjetër, po në emisionin kryesor të lajmeve, pa mëshirë guxonte të jepte me koment të gjatë golat e Paris SG në një ndeshje të zakonshme të kampionati­t të Francës, dhe asnjë lajm për tri ndeshje të kampionati­t të Shqipërisë që sapo ishin luajtur.

Një televizion tjetër, shqiptar edhe ky, gjithashtu në lajmet kryesore të ditës, jepte lajm për kampionati­n e Anglisë dhe asnjë lajm për ndeshjen e vetme të kampionati­t të Shqipërisë që sapo ishte zhvilluar. Është e vështirë t’i quash shqiptare këto “mrekullina” informacio­ni.

Sigurisht nga këto kuptohet se liria e shfrenuar e ksenomanis­ë i është blatuar gazetarit televiziv në fjalë përtej çdo logjike e çdo shpirti kombëtar. Dhe ne u kemi dhënë lejen këtyre televizion­eve për të qenë kombëtarë.

Duket qartë që kampionati­n e Shqipërisë ata nuk e kanë në agjendën e lajmeve të ditës. E pra, kështu nuk vepron as “RAI”, as “ZDF”, as “TVE”, as “BBC”, as Francë 2 apo 3. E asnjëherë as televizion­e të vendeve fqinje, të tillë si “ERT”, “RTS” apo “MNT”. Kjo tregon se televizion­et shqiptare në këtë fushë të informacio­nit, imitojnë keq. Dhe marrin minuta e kohë për ngjarje asisoj të shteteve të tjera. Duke harruar edhe se sot, falë telefonave celularë e internetit, rinia shqiptare i merr vesh ndeshjet e shteteve të tjera në çast, rrufeshëm, drejtpërdr­ejt. E, po të duash edhe që italiani “Donaruma është me kovid”.

Nuk u vihet faj. Përderisa FSHF-JA luan pa mëshirë me datat e saj të harresës së ndeshjeve të kampionati­t, në këtë çoroditje harrese pra, përfshihen edhe redaksitë ksenomane televizive të Shqipërisë. Këtu, doemos për faj të shefit po ksenoman të lajmeve, se gazetari i ngarkuar kuptohet qartë që është një ksenoman për shkëlqim (“par excellence”). Nëse nuk na besoni, kujtojini mirë lajmet kryesore të tyre të ditës. Dhe papritmas më duhet t’i rikthehem gazetës “Fashizmi” të vitit 1939-‘40, teksa më lind pyetja: Si nuk e ndalonte Ministri i edukatës kombëtare të Duce-s, i famshmi Giuseppe Bottai i Italisë Fashiste, Anton Mazrrekun kur ky mbushte faqen e tretë të gazetës “Fashizmi” me kampionate­t lokale shqiptare të futbollit e për kampionati­n e Italisë – kampione botës në fuqi - shkruante vetëm dy kolona të vogla?

Vërtet, gjithçka është kaq keq? Mbi të gjitha keq është ajo çka u munduam të ritrajtojm­ë sadopak këtu. Thjesht duke marrë shkas nga çoroditja fragmetizu­ese e ditëve dhe e orëve të gabuara të vetëm 5 ndeshjeve të kësaj jave të shpërndara në ditën e hënë e të martë, ditë pune pra, jo ditë futbolli. Çka tregon se e gjithë “lufta”, mesa duket, bëhet për të mbërritur te futbolli i shteteve të tjera, jo te kampionati i Shqipërisë.

Ne shqiptarët e vërtetë s’kemi çka të bëjmë, por si gazetarë, gjithnjë do të jemi kritikë. Sepse dihet, gazetaria pa qenë kritike, nuk është gazetari. Dhe pasi i jep përparësi vërtetësis­ë së faktit, çka është e shenjtë, ajo e ka për detyrë t’i kthehet komentit kritik që në gazetari është përherë i lirë, me synimin e rreptë për të përforcuar pikërisht vërtetësin­ë. Ndryshe do të thotë se “mund të çojmë jetë” duke e lënë në “qetësi” këtë profesion. Edhe pse ai kurrë nuk është “i qetë”. Sidomos kur të metat e rënda përreth jetës së një kombi, si për shembull ky shqiptar, janë të panumërta edhe në futboll, edhe në sport.

Këto punë mund t’i rregullojë vetëm një ligj a kod profesiona­l (siç e kanë shumë shtete), i cili ndalon ksenomanin­ë, dhe i jep përparësi ndjenjës kombëtare, atdhetaris­ë, shqetësime­ve kombëtare. Kjo, jo thjesht për televizion­et, por fuqishëm edhe për organizmat, federatat apo drejtuesit që cenojnë kësisoj, atë, më të çmueshmen, ndjenjën e atdhetaris­ë.

Kjo temë mbetet për një herë tjetër...

 ?? ?? Çast nga ndeshja e djeshme në Rrogozhinë
Çast nga ndeshja e djeshme në Rrogozhinë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania