Panorama Sport (Albania)

Tabuja e të mëdhave dhe rikuperime­t, Interi i gëzohet postderbit

-

Mënyra me të cilën erdhi fitorja e Interit në derbi nuk mund të mos ketë ndikim për vazhdimësi­në e sezonit të zikaltërve, edhe pse tashmë në kampionat objektivi është vendi i dytë. Napoli e ka hipotekuar titullin, por gjithsesi zikaltrit po përgatisin një rikthim të fuqishëm në Champions League, aty ku i pret Porto në fazën e 1/8-ave. Janari ka qenë fantastik nëse do të lëmë mënjanë atë humbje ndaj Empolit dhe shkurti nisi i tillë. Falë dy përballjev­e me Milanin, asaj me Napolin e asaj me Atalantën, zikaltrit kanë treguar punën e mirë të Inzagit duke thyer tabunë që i ka shoqëruar në pjesën e parë të sezonit, atë të përballjev­e me rivalët direktë. Nisja favorit në derbi dhe fakti që nuk kishin fituar ende një duel me Milanin në kampionat nën urdhrat e Inzagit, rrezikonin të ktheheshin në një makth për zikaltrit, që ama treguan se shkuan përtej këtyre. Interi diktoi lojën dhe ritmin e saj, me një pjesë të parë të dominuar tërësisht përballë një 3-5-2 steril të Milanit, duke konfirmuar se ky modul u përket atyre.

INDIVIDËT - Suksesi i mbërritur falë pikave të tyre të forta është lajmi më i mirë për zikaltrit nga derbi, pasi ndeshje pas ndeshjeje grupi ka treguar se kanë lënë pas luhatjet e fillimsezo­nit, që nuk kanë ndikuar në formën aktuale, por që padyshim kanë ndikuar në objektiva. Shpresat e zbehura për titullin janë padyshim shkak i humbjeve ndaj pretendent­ëve në fazën e parë, por rasti i Shkriniar dhe dëmtimet e Brozoviçit e Lukakut janë përfshirë jo pak herë në alibitë e zikaltërve. Derbi ama duket se u vuri kapak të gjithave, përveç disa momenteve të errëta që vazhdojnë të jenë prezentë. Pavarësish­t dominimit, Interi nuk ia doli të mbyllte ndeshjen, një veçori që jo pak herë e ka ndëshkuar gjatë këtij sezoni. Me këtë aspekt ende për t'u rregulluar, Inzagi ama shpreson se rikuperimi i Brozoviçit, Lukakut dhe gjendja psikologji­ke që gëzon skuadra, sidomos pas derbit, do të jenë armët kryesore për të përmbushur të gjithë misionet që ka deri në fund.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania