Panorama Sport (Albania)

Dervishi: Partizani gaboi në verë, Kolela i vetmi pa faj

-

Partizani po përjeton periudhën më të vështirë të këtij sezoni. Prej pesë ndeshjesh të kuqtë nuk kanë arritur të fitojnë, teksa kanë grumbullua­r vetëm dy pikë. Dritan Dervishi, një figurë shumë e njohur në ambientin dhe ish-drejtor sportiv i Partizanit, ndihet keq kur e sheh Partizanin në këtë gjendje, por ekskluzivi­sht për “Panorama Sport”, nuk heziton të flasë pa doreza dhe të tregojë mbi fajtorët për gabimet e bëra. Sipas koordinato­rit të skautëve të klubit të Hellas Verona, Kolela nuk është fajtor i kësaj merkatoje, por ata që kanë bërë merkaton, duke nënkuptuar drejtorin Marini dhe ndihmësit e tij. Dervishi tregon edhe për prishjen e tratativav­e mes dy klubeve për Xhuliano Skukën.

Si ju duket Partizani i këtij sezoni? Përse kanë kaq shumë luhatje?

Nëse duhet ta analizojmë ekipin e Partizanit, duhet ta ndajmë në dy pjesë, para dhe pas merkatos së janarit. Unë mendoj se pas merkatos së janarit me shitjen e Skukës, Bitrit dhe së fundmi të Rrapajt, Partizani ka humbur shumë kualitet dhe një pjesë të madhe të mentalitet­it fitues. Pastaj po të shikosh të gjithë afrimet e verës te Partizani, të gjithë kanë qenë të dështuara, pasi ata që erdhën, nuk ishin gati për një skuadër si Partizani, që gjithmonë duhet të luftojë për titullin kampion.

Ju jeni njeri i fushës dhe kjo ju jep të drejtën të shprehni një mendim. Si ju duket sjellja e Partizanit në këtë merkato të janarit?

Largimi i Skukës është pa dyshim një sukses i klubit të Partizanit, por unë nuk kuptoj largimin e dy lojtarëve të tjerë kryesorë, që kanë udhëhequr ekipin në këto vite.

Në verë u afruan 11 lojtarë, por pak prej tyre e justifikua­n besimin. Ku mendoni se u gabua?

Merkatoja e verës për Partizanin është një rebus, që duhet studiuar, pasi nuk mund të ndodhë që të gjithë lojtarët e afruar në një merkato të mos integrohen dhe të mos bëjnë hapin përpara për rritjen e kualitetit të skuadrës.

A e shihnit Partizanin para janarit si pretendent kryesor për titullin?

Partizani para merkatos së janarit ishte një ekip solid, me lojtarë me ADN të kuq, megjithëse nuk u ndihmuan nga lojtarët e ardhur në verë. Me atë skuadër, “demat” me siguri që mund të shkonin te titulli.

Po skuadrën aktuale?

Vetë rezultatet po tregojnë se Partizani është një kantier në qiell të hapur. Mendoj se askush nuk mund ta parashikoj­ë se ku do të renditet ky Partizan.

Mendoni se ka ardhur momenti të ndërrohet ekipi apo Kolela meriton ende kohë dhe mundësi?

Për mendimin tim, janë vetëm dy persona, që nuk janë fajtorë për këtë situatë aktuale të Partizanit. E kam fjalën pikërisht për trajnerin Kolela dhe presidenti­n Demi. Ata që duhet të japin llogari janë stafi drejtues, që janë marrë me përzgjedhj­en e lojtarëve dhe kanë bërë merkaton.

Cili nga lojtarët aktualë ju duket se ka cilësinë për të marrë lidershipi­n e ekipit?

Unë nuk shoh asnjë lojtar të që mund të zërë vendin e Bitrit, Skukës apo Rrapajt. E përsëris, për Skukën Partizani ka bërë një shitje spektakola­re dhe ishte gjëja e drejtë që të shitej, por nuk arrij të kuptoj largimet e Bitrit dhe Rrapajt, sepse këto ikje në mes të sezonit destabiliz­ojnë ekipin. Mesa di, Bitri është shitur për një shifër shumë më të ulët se vlera e tij reale.

Mendoni se blerjet e janarit e kanë cilësinë për të ndryshuar situatën dhe për ta kthyer ekipin në rrugën e titullit?

Nuk kam sferën magjike që të parashikoj këtë pjesë, por e sigurt është që të gjithë këta lojtarë kanë nevojë për kohë që të ambientohe­n me Kategorinë Superiore, që është një kampionat me mjaft kualitet.

Jeni dakord me trajnerin Kolela, i cili tha se Partizani nuk është në gjendje të fitojë titullin?

Ndoshta trajneri e ka thënë këtë që të heqë presionin nga lojtarët dhe për të mbrojtur grupin nga sulmet. E ripërsëris, që i vetmi komponent i grupit, që nuk ka faj në këtë situatë, është trajneri Kolela.

Mund të na tregoni se ku u thyen negociatat mes Hellas Veronës dhe Partizanit në lidhje me Skukën?

Situata ishte shumë e thjeshtë. Ne nuk mund të ofronim këto shifra që ofroi klubi francez (Metz). Shitja e tij duhet të jetë një model për t’u marrë shembull, pasi përveç sjelljes së lojtarëve shqiptarë e të huaj, duhet t’i kushtojnë vëmendje lojtarëve shqiptarë dhe të huaj, që kanë pasaporta europiane.

Keni kaluar kohë të bukura te Partizani. Keni një mesazh për tifozët?

U bëj thirrje tifozëve t’i rrinë sa më pranë skuadrës, sepse Partizani do të jetë gjithmonë një fanellë e rëndë. Drejtorët e trajnerët largohen, por Partizani nuk del asnjëherë nga zemrat e tifozëve. Kam respekt për tifozët e “demave” dhe më japin shumë ngrohtësi. Partizanin, dua ta shoh gjithnjë kampion.

Cili ju duket ekipi më i fortë në këtë sezon në Kategorinë Superiore?

Ekipet që më bindin më shumë janë Tirana dhe Vllaznia, por nuk mund ta mënjanoj as Partizanin për vetë historinë që ka. Megjithatë, të kuqtë duhet të luftojnë deri në fund për ta ndryshuar këtë moment negativ.

Do ta mendonit një rikthim në Shqipëri si drejtor sportiv?

Jo, të paktën për pesë vitet e ardhshme. E dua shumë Shqipërinë, por nuk jam dakord me mënyrën sesi punohet atje. Ndihem shumë mirë te Verona dhe do të jem këtu për një kohë të gjatë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania