Panorama Sport (Albania)

Nga Krespo te Kordoba, ish-ët skanojnë zikaltrit

-

Historia e Interit dikton fitore dhe për këtë bien dakord të gjithë ata që e kanë mbajtur veshur fanellën zikaltër. Për të analizuar momentin e skuadrës së Inzagit dhe distancën e tyre me kreun janë shprehur për “La Gazzetta dello Sport” Hernan Krespo, Ivan Ramiro Kordoba, Alesandro Altobeli, Xhuzepe Bergomi e Valter Zenga. Ndërkohë që të tjerët bien dakord se titulli tani është utopi dhe duhet të jetë detyrim për zikaltrit, për të cilët nuk mund të mjaftojnë Kupat kombëtare, Kordoba mendon se lufta për titull nuk ka mbaruar akoma.

KRESPO - “Ajo që nuk funksionoi te Interi është e thjeshtë për t’u gjetur: mungesa e vazhdimësi­së. Ecuria në pjesën e parë të sezonit, por edhe së fundmi ka pasur luhatje të shumta, gjë që e dëshmoi edhe humbja në shtëpi ndaj Empolit. Interi duhet të arrijë pjekurinë e duhur që e lejon të përballojn­ë ndeshjet e mëdha dhe ato të konsiderua­ra të vogla në të njëjtën mënyrë. Në këtë mënyrë grupi mund të fillojë të rritet në funksion të sezonit të ardhshëm. Këtë vit menaxhimi i çështjes Shkriniar ka krijuar disa probleme dhe këtu klubi duhet të përmirësoh­et. Do të nevojiten ndërhyrje në merkato, kurse në sulm duhet pritur reagimi i Lukakut. Në çdo rast Interi duhet të synojë gjithmonë titullin, Kupat nuk mjaftojnë asnjëherë nëse nuk është Champions League”.

KORDOBA – “Nuk duhet të mendoni se sezoni ka mbaruar, Interi do të luftojë për titull deri në ditën e fundit dhe keni për ta parë këtë, ia dikton historia. Janë të fortë dhe mund të fitojnë terren dhe kanë edhe një përplasje direkte me Napolin në fund, që mendoj do të jetë vendimtare. Nuk do të dorëzohen kurrë, edhe nëse të tjerët janë më të fortë duhet ta konfirmojn­ë këtë gjë në fushë. Zikaltrit kanë fituar një trofe, janë në gjysmëfina­le të Kupës dhe mund të përshkojnë rrugë të gjatë edhe në Europë. Nuk kam asnjë dyshim, për sa kohë i lejon matematika, luftojnë”.

ALTOBELI - “Interi ka lënë shumë pikë, sidomos në transfertë ku ka vuajtur në prapavijë. Në këtë rast është problem i gjithë grupit dhe jo vetëm i mbrojtësve dhe portierit. Kur pëson aq shumë, vështirë të luash për titull. Duhet të përmirësoh­en për sezonin e ardhshëm, atëherë kur një ndikim të madh do të ketë mënyra si do të zëvendësoh­et Shkriniari. Në sulm, shumë do të varen nga Lukaku, që nëse qëndron me Interin dhe rikthehet ai i Kontes do t’i japë mundësi Interit të luftojë për titull menjëherë vitin e ardhshëm. Skuadra është e shkëlqyer, cilësore dhe Interi ka qenë jo më kot favorit në fillim të vitit. Mund të kishin qëndruar konkurrent me pak gabime, por tashmë është vonë. Kupat janë gëzime, por gjithmonë vlen titulli”.

BERGOMI - “Interi ka fituar një trofe çdo sezon për tri vjet dhe unë do të thosha se kjo nuk mund të anashkaloh­et. Duhet vlerësuar puna, por nëse e krahasojmë me Napolin është e qartë se mund dhe duhet të kishin bërë më mirë. Gjëja më e bukur e kësaj skuadre është se nëse janë të përgatitur fizikisht, ata luajnë futboll të shkëlqyer me një sistem që kërkon shumë energji. Por pikënisja duhet të jetë mbajtja e emrave të mëdhenj si Barela, Brozoviç, Lautaro e Çalhanoglu në skuadër”.

ZENGA - “Nëse Interi sot është 13 pikë larg kreut, ka dy arsye. Njëra s’ka lidhje me zikaltrit, sepse është ecuria fantastik e Napolit, tjetra ka të bëjë me luhatjet që ka pasur Interi gjatë kësaj kohe. Nuk është e lehtë të gjykosh arsyet nga jashtë, duke mos parë punën e përditshme, por me siguri një shpjegim mund të gjendet në mungesat e Lukakut dhe Brozoviçit. Janë dy lojtarë të rëndësishë­m, ndoshta me ta historia do të kishte shkuar ndryshe”.

 ?? Havier Zaneti, Hernan Krespo dhe Ivan Kordoba ??
Havier Zaneti, Hernan Krespo dhe Ivan Kordoba

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania