6 miliardë paund për “Djajtë”, Katari bën gati ofertën rekord
Investitorë nga Katari po planifikojnë një investim të jashtëzakonshëm për të blerë klubin e Mançester Junajtidit zbulon "Dailymail". Një grup privat i ka vendosur syrin një prej klubeve më të mëdha të Anglisë, i cili është nxjerrë në shitje nga pronarët amerikanë të familjes Glejzër dhe ata janë të bindur se nuk do të kenë konkurrencë, ndërsa pronarët e "Djajve" kërkojnë 6 miliardë paund (rekord botëror). Oferta e tyre pritet të bëhet në ditët e ardhshme. Një lajm i tillë është reflektuar menjëherë në bursë, ndërsa aksionet ditën e martë u rritën me 6.30%, duke shkuar në 21.12 dollarë sipas "Benzinga Pro". Familja Glejzër, e cila vendosi ta nxjerrë klubin në shitje në muajin nëntor, ka vendosur një afat për të dëgjuar ofertat deri në mesin e muajit shkurt. Për të blerë klubin ka regjistruar interes zyrtar edhe njeriu më i pasur i Britanisë, Sër Xhim Retklif. Por "Dailymail" këmbëngul se oferta e biznesmenëve katariotë do të jetë e pakonkurrueshme. Objektivi i investitorëve të Katarit është të rikthejnë tifozët në qendër të projektit të tyre, të cilët ndihen të përjashtuar nga familja Glejzër. Një problem jo i vogël do të ishte nëse pas kësaj oferte do të fshiheshin pronarët e PSG-SË, pjesë e "Qatar Sports Investments". I njëjti pronar mund të ketë klube në vende të ndryshme, por problem do të ishte nëse ata do të konkurronin në të njëjtin kompeticion. Dhe Junajtid dhe PSG-JA nuk do të mund të përballeshin në Europë. Kështu që nëse gjigantët anglezë dhe ata franceze do të kualifikoheshin në Ligën e Kampioneve, atëherë pronarët do të duhet të bënin një zgjedhje se cilin klub do të preferonin që të luante në Champions. Por edhe kësaj pritet t'i gjendet një zgjidhje. Oferta për Junajtidin do të vijë nga investitorë individualë katariotë që nuk janë pjesë e "Qatar Sports Investment".