Panorama Sport (Albania)

Reagon Kukësi, Basha ndëshkon Kastriotin

- VLADIMIR MEMA

Kukësi fiton duelin e mbijetesës dhe zhyt në fund Kastriotin që mbetet i fundit. Për blutë mjaftoi një gol i Edi Bashës në nisjen e pjesës së dytë, duke i dhënë tri pikë të arta për mbijetesën skuadrës së Hallaçit dhe duke i dhënë njëkohësis­ht paksa oksigjen në këto momente të vështira. Në "Kukës Arena" u luajt një përballje e rivalizuar edhe me grintë nga të dyja ekipet në fushë, me rastet për shënim, që nuk munguan, por në fund vendosi goli i kroatit, i cili ishte i pari për të në këtë stadium.

PJESA E PARË

Nis menjëherë "malore" sfida për Hallaçin, i cili duhet të bëjë menjëherë zëvendësim­in pas dëmtimit të Ovusu, që rrëshqet në fushë. Megjithatë, kuksianët janë më kërkues në minutat e para, duke shtyrë shpesh drejt zonës kundërshta­re, ndërsa miqtë mundohen më shumë të mbrohen. Mundësia e parë i takon Peposhit, por është portieri ai që i mohon golin. Në kahun tjetër, krutanët përpiqen të zënë në befasi Tafasin me anë të Zogajt, por gjuajtja nuk ka forcën e duhur. Verilindor­ët krijojnë volum loje dhe qarkullojn­ë topin, por pa pasur raste të pastra shënimi. Një rast të artë do t'ia dhuronte portieri Malaj kapitenit Taipi, por me portën e boshatisur fare pranë, e dërgon mbi tra. Ndeshja ka rivalitet, me krutanët që nuk sillen si inferiorë në fushë, të cilët herë pas here përpiqen të zënë në befasi mbrojtjen vendëse, por mungon cilësia në finalizim. Në krahun tjetër, Kukësi përpiqet të rrezikojë me harkimet e Ndrecës në zonë dhe mundësinë më të mirë do ta ketë Basha, por nuk arrin të shtyjë dot topin në rrjetë. E para mbyllet me rrjeta të paprekura.

PJESA E DYTË

Kukësi e nis menjëherë me gol këtë fraksion, me Bashën që merr si duhet një top nga Lamçe dhe me një goditje të bukur e dërgon topin në rrjetë. 1 me 0 dhe vendësit çlirohen, duke marrë nën kontroll frenat e lojës. Kastrioti nuk ka forca për të reaguar dhe janë vendësit ata që shfaqen më të rrezikshëm, teksa Ndreca për pak dyfishon, por sfera kalon ngjitur me shtyllën. Nga ana tjetër, nuk mungojnë as duelet e forta në mesin e fushës, ndërsa miqtë për pak arrijnë të barazojnë me Mehmetin, i cili del i lirë në zonë, por goditja e tij prek rrjetën e jashtme. Trajnerët freskojnë skuadrat, teksa Hallaçi u jep disa minuta në dispozicio­n edhe afrimeve të reja, Rashiti me Martinez, duke i dhënë njëkohësis­ht edhe një freski skuadrës në fazën ofensive. Nga ana tjetër, skuadra e Memës i afrohet golit me anë të Stojanoviç, i cili me kokë për pak e ndal në rrjetë, por sërish mungoi qartësia para portës. Në fund, janë vendësit ata që fitojnë duelin e mbijetesës, duke i dhënë pak oksigjen skuadrës dhe zhytur në vendin e fundit krutanët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania