Panorama Sport (Albania)

“Zikaltrit luajnë bukur, kujtimi më i hidhur...”

-

Kur përballen Sampdoria dhe Interi, detyrimish­t për të gjithë tifozët zikaltër rikthehet në memorie edhe Alvaro Rekoba. Uruguaiani firmosi atë përmbysje të Interit me shifrat 3-2 më 9 janar 2005, falë tre golave të tij në minutat e fundit të një ndeshjeje që dukej e humbur deri në ato momente. I intervistu­ar nga Xhanluka Rosi për kanalin e tij në “Youtube”, Alvaro Rekoba iu rikthye asaj dite të pabesueshm­e për të dhe Interin në “San Siro”: “Isha njeriu më i lumtur në tokë në ato pesë minuta. E kam përjetuar atë adrenalinë pak herë në karrierën time, me Interin, por edhe me Nacionalin, kur shënova një gol në minutën e 95-të në një derbi me Penarolin. Ajo ndeshje ishte një nga më argëtueset”. Duke marrë shkas nga ajo tripletë me dorianët, ish-lojtari zikaltër u ndal më pas te kujtimet me fanellën e Interit dhe marrëdhëni­a me Moratin, pa lënë pa komentuar skuadrën aktuale.

TIFOZËT DHE MORATI – “Edhe sot, kur shkoj në Itali, më jep kënaqësi të madhe fakti që dal në rrugë dhe shoh njerëz, të cilët më njohin dhe kënaqen kur më shohin. Mendoj se ne futbollist­ët jemi me fat, fitojmë para duke goditur topin dhe duke bërë një punë që në thelb është argëtim. Këtë u them edhe lojtarëve të mi tani që jam trajner. Kam ende një raport fantastik edhe me Moratin. Flasim ndonjëherë dhe sapo e merr vesh që jam në Milano, më telefonon dhe kërkon të takohemi”.

INTERI AKTUAL – “Interin e ndjek, e pashë edhe derbin. Nëse nuk do të ishte Napoli që po bënte një kampionat të çmendur, ata do të ishin ende në garë për titullin kampion. Napoli nuk fal asnjë pikë, është e frikshme për këdo të mbajë ritmin e tyre, por gjithsesi mua skuadra e Inzagit më pëlqen si luan, edhe pse nuk kanë pasur vazhdimësi­në që kanë treguar napolitanë­t”.

KUJTIMI MË I HIDHUR – “Humbja ndaj Lacios dhe eliminimi nga Champions League me Milanin. Atë mbrëmje mbaj mend që të gjithë kishim probleme dhe Hektor Kuper më thirri për të më pyetur si ndihesha dhe a isha gati të luaja. Unë thashë po, por pastaj hyra në fushë dhe ta shpifja me atë paraqitje që bëra, edhe pse nuk u tërhoqa pas. Do të ishte më mirë të kisha thënë që nuk do të luaja, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshë­m për rreziqet që ndërmarrim”.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania