Panorama Sport (Albania)

Lukaku, Brozoviç dhe gjendja fizike, shpresat e Inzagit për pranverën

-

Gara për katër vendet e para është e hapur, Champions League është në prag, ashtu si gjysmëfina­let e Kupës së Italisë kundër Juventusit, që shënjojnë nisjen e një periudhe shumë të nxehtë për Interin. Gjithsesi duket se Inzagi e ka tashmë recetën për ta bërë të suksesshme këtë periudhë, pavarësish­t se ai barazim ndaj Sampdorias ka sjellë një klimë jo të mirë në Milanon zikaltër.

Trajneri e di që mendërisht skuadrës së tij i mungon diçka për të fituar ndaj skuadrave të vogla dhe atyre të mesit të tabelës, çelësi për të synuar triumfin, sidomos në kampionat, por nuk ka ndër mend të lejojë që të tijtë t’i pushtojë pesimizmi dhe të hedhë në kosh të gjithë punën që ka bërë deri më tani. Ruajtja e qetësisë është një nga gjërat të cilat Inzagi po kërkon t’i transmetoj­ë skuadrës, për të shkuar drejt përmirësim­it. 25 goditjet pa gol në Xhenoa treguan se grupi duhet të ketë më shumë cinizëm, pragmatizë­m dhe të rigjejë ligësinë. Është ky mesazhi që Inzagi kërkon të japë në dhomat e zhveshjes para nisjes së përgatitje­ve ndaj Udinezes, ku patjetër do të nevojitet rezultati për të mos lejuar që situata të mos i rrëshqasë nga duart në një nga pikat kyçe të sezonit.

LUKAKU – Romelu po rigjen dalëngadal­ë formën e tij dhe rrjedhimis­ht pritet të ndryshojë edhe lojën e Interit, që kur belgu është në fushë e bazon tek ai planin taktik, ashtu siç u pa ndaj Atalantës në Kupë dhe Sampit të hënën. Me rikthimin në maksimum, 29-vjeçari do ta ketë shumë më të lehtë të sulmojë thellësinë dhe të krijojë hapësira për shokët e skuadrës edhe pse duhet ta bëjë këtë shpejt, sepse këtë herë Interi nuk mund të presë shumë për ta parë atë të shndërrohe­t në armën vdekjeprur­ëse për të cilën ka nevojë. FORMA FIZIKE DHE BROZOVIÇI – Të dhënat në lidhje me aftësinë fizike të skuadrës janë inkurajues­e, për më tepër kur mendon se Brozoviçi dhe Dumfrisi priten të rikthehen të shtunën. Zikaltrit e kanë ndierë mungesën e tyre dhe kroati do të lejojë Çalhanoglu­në të kthehet në fantazisti­n që do t’i ofrojë më shumë rrezik sulmues skuadrës, sepse nuk duhet harruar që 5 golat e fundit në kampionat mbajnë të gjithë firmën e Lautaros. Holandezi nga ana tjetër do të ringjallë krahun e djathtë, që më shumë se kurrë ka nevojë për sprintet e tij, me shpresën se sulmuesit do të dinë t’i shfrytëzoj­në asistet e tij. Me titullin e humbur tashmë, bileta për në fazën tjetër të Champions League duket shpëtimi i sezonit të Interit, ashtu si finalja e Kupës së Italisë, që mund të shërbejë si ngushëllim. Inzagi kërkon t’i përballojë këto teste me qasjen e duhur, pasi ai ashtu si gjithë skuadra luajnë shumë nga fati i tyre, me topin që në qershor do t’u kalojë drejtuesve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania