Panorama Sport (Albania)

6 lojtarë me grip, Bubeqi: 11-shja pezull

-

Dorian Bubeqi e ka transformu­ar Burrelin. Që prej ardhjes së tij në stol, nuk e njohin humbjen. Janë 7 pikë në 270 minuta, që e kanë larguar skuadrën nga zona e rrezikut. Trajneri pret vazhdimësi edhe përballë Dinamos, ndonëse “frikën” ua ka mungesave. Disa lojtarë kanë shfaqur probleme shëndetëso­re dhe sot do të vendoset 11-shja. Këtë kavajasi e përmend edhe për “Panorama Sport”: “Ekipi ka pasur probleme këto ditë. Kemi 6 lojtarë që kanë pasur probleme gripale dhe ende nuk e kanë marrë veten. Të paktën nuk kemi pezullime, madje këtë javë na kthehet edhe Donati Toma. Sikletin e kam vetëm te virozat dhe dëmtimet. Dy lojtarë akoma nuk kanë arritur maksimumin e vet, por mjekët po bëjnë të pamundurën. Shpresojmë që deri të dielën të kem kontingjen­t të plotë. Kjo po më pengon për formacioni­n, pasi ende nuk kam vendosur gjë. Por një gjë është e sigurt, do të luajnë ata që janë në formën më të mirë”. E cilëson të vështirë përballjen me Dinamon, por jo të pamundur. “Ndeshja me kryesuesit, do të jetë e fortë. Por ne nuk do të hyjmë si inferiorë në fushë, përkundraz­i. E dimë se çfarë duam, ndaj do të tentojmë vetëm vazhdimësi. Në tri javë nuk e njohim humbjen dhe misioni është po ai. Ky kampionat është i vështirë, për vetë formulën që ka. Ne vijmë nga fitorja që morëm në Pukë, një fushë vërtetë e vështirë. Na duhet shumë. Armë sekrete nuk kemi, por jemi të bashkuar dhe gjithçka e bëjmë për një qëllim të vetëm”, theksoi 44-vjeçari. “Liri Ballabani” do të jetë i boshatisur dhe ky është meraku i vetëm i trajnerit. “Të luash në fushën tënde pa spektatorë, është si të mbetesh me 10 lojtarë. Ata janë ndihmë e madhe”, përfundoi Bubeqi. MARTIN DEDAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania