Panorama Sport (Albania)

Plot 36 herë “1-0”!

- Nga BESNIK DIZDARI

Kjo do të thotë se bukur 32.72 për qind e 110 ndeshjeve të deritashme kanë përfunduar 1-0! Eshtë një tregues tejet interesant prej të cilit mund të shfaqen disa dukuri. Ndoshta jo probleme. Probleme është fjalë e madhe, dhe në rastin tonë më fort mund të gjendet diku tjetër...

Këtu kemi të bëjmë me dukurinë e mangësive të golave, ku sundimi i rezultatit “1-0” mund të jetë simboli i shterpësis­ë së lojës sulmuese. Eshtë mesatarish­t vetëm 2.07 gola për ndeshje. Dihet ndërkohë: Kampionati i Shqipërisë përherë ka pasur mesatare të vogël të shënimit të golave. Në Kampionati­n e kaluar, atë 2021-2022 ishte 2.26 gola për ndeshje. Dhe arritja e mesatares së golave në 3 për ndeshje për herë të fundit, qysh nga viti 1957, ka ndodhë më 2003-2004 kur ishte 3.01 për ndeshje dhe kur Vioresin Sinani i Vllaznisë ishte mbreti: shënoi 36 gola! Por Kampione ishte SK Tirana me golaverazh­in 90-36, kur Vllaznia - e treta - e kishte shënuar 77 gola. Dhe gati gjysmën e golave - Sinani! Trajner i SK Tiranës ishte Mirel Josa – sot i Vllaznisë, me siguri i bindur se nuk ka një Sinan të dytë në fushë... Mos po na shterojnë edhe talentet e golave?...

Ndërkaq, historia na thotë se Sinani është i dyti mbas Resmes së Kampionati­t të vitit 1951 i cili shënoi 59 gola. Arritje përtej historisë kjo, që e përfshin mjeshtrin tonë të paharruesh­ëm midis 6 shënuesve më të mirë të kampionate­ve kombëtare të të gjithë shteteve të botës për të gjitha kohërat. Partizani kishte golaverazh­in 136-10. Por nuk u shpall kampion. Titullin e fitoi Dinamo me golaverazh­in 108-7. Çudi e madhe kjo! Kohë tjetër e një futbolli tjetër...

Tash, duke u kthyer në këtë javë të 22-të të këtij Kampionati 2022-23 të Shekullit XXI, 3 prej 5 ndeshjeve ishin “1-0”, pa harruar se 6 skuadra nga 10 që janë, nuk shënuan asnjë gol: Erzeni, KF Laçi, Kastrioti, KF Kukësi, Egnatia e Vllaznia. E doemos vetëm 6 gola të shënuar në 5 ndeshje që do të thotë mesatarish­t 1.2 gola për ndeshje! Në Javën 21 patëm edhe më tepër “1-0” sepse 4 nga 5 ndeshjet dhanë rezultatin “1-0”.

E kështu, mund të përimtojmë ose numërojmë plot 36 rezultate “1-0”.

Dihet ndërkaq, se rezultate “1-0” mund të nënkuptojn­ë edhe ndeshje shumë të mira e befasuese. E, nga të 36-tët “1-0” kujtojmë ndeshje të tilla si Partizani - Erzeni 0-1, SK Tirana – Erzeni 0-1, Vllaznia – Egnatia 0-1, Teuta – SK Tirana 1-0, Kastrioti – Vllaznia 10, SK Tirana – Partizani 0-1, duke kulmuar me Vllaznia – SK Tirana 1-0. Madje duke mbikulmuar me ndeshjen e javës së fundit, këtë Kastrioti – SK Tirana 0-1 në minutën e 100-të me autor Nikqin! Ta do mendja se mund të jetë “1-0”-ja më “fenomenale” në historinë tonë.

E megjithatë...

Megjithatë rezultati “1-0” në futboll hyn në rezultatet e ashtuquajt­ur të varfër. Vujadin Boskov ka thënë më mirë të humbas një ndeshje 6-0 se sa 6 ndeshje 1-0.

Si të thuash, “1-0”-ja është “vëllau” i madh i rezultatit “0-0”. Dhe papritmas shoh se na del që kemi edhe plot 13 rezultate “0-0”. Kësisoji, “vëlla e motër” arrijnë në 49 ndeshje të varfra – gati 50 përqind e ndeshjeve të Kampionati­t - që sundojnë një shterpësi shembullor­e.

Nëse Kampionati shkon kështu, pra nëse sundohet nga kjo dukuri edhe më tej, ai mund të hyjë në histori si ndër më të varfrit.

Cili mund të jetë shkaku i sundimit të rezultatit “1-0”? Zbehje e skajshme futbollit sulmues? Mbrojtje të forta? Mungesë e shënuesve të talentuar?

Mund të jenë të tria këto. E, Kampionati u varfërua edhe me shitjen mû në mes të tij (fort e diskutuesh­me kjo) jashtë kufijve të Shqipërisë të kryeshënue­sve Skuka e Xhixha. Mirë që u shitën se u fituan të ardhura, por a duken kund shenjat e zëvendësim­it të tyre, të paktën me shënues të talentuar të së ardhmes? Temë vërtet e tërheqëse kjo, për të mbërritur te ajo që na kujton se në “propagandë­n” e Kampionati­t të Shqipërisë kurrë nuk përimtohet, nuk analizohet, nuk shtjellohe­t. Në një kohë që kjo ka të bëjë me problemin e problemeve në futbollin tonë kombëtar: me moskativiz­imin e elementit të ri që vjen prej farishteve të klubit që u quakan “akademi”.

Tash po guxoj të shkoj aty ku vërtet është delikate për të mbërritur. Po shkoj te ajo që në futboll quhet “loja kolektive”. Dhe çka vërehet? Vërehet pasioni i madh për të shënuar “unë vetë”. Kjo shihet në skenat e shumta të ndeshjeve shqiptare, kur sulmuesi në vend që t’ia kalojë topin shokut që është i vetëm para portës, prapë kërkon të gjuajë vetë, ndonëse bashkëlojt­ari pra, është në një pozicion tejet më të mirë për të shënuar. Vërejini më me vëmendje ndeshjet e Kampionati­t! Këto skena apo episode të mospasimit te shoku i zbuluar, janë vërtet të shumta. Ky në futboll quhet egoizmi për të shënuan “unë”. Ndryshe ky është “uni” i vetshënimi­t të golit. Eshtë e çuditshme vërtet, sesi ka shumë gjuajtje nga largësia që përfundojn­ë në “stratosfer­ë”, siç thoshte Anton Mazreku, ndërkohë që shoku i zbuluar afër portës, gati po të lutet me gjeste për t’ia pasuar topin atij.

Kjo sigurisht është një temë, jo aq fort për gazetarin, por për specialist­in. Mirëpo, ndodh shpesh që specialist­i hesht, teksa po kërkon të merret me gazetari – e kjo është diçka e mirë – por çuditërish­t po harron mendimin teknik që më fort i përket atij.

Po kujtoj edhe këtë thënie emblematik­e të futbollit me autor një legjendar:

Johan Cruyff: “Futbolli luhet me mendje. Nëse nuk përdor mendjen, këmbët nuk mjaftojnë”.

E mendja përsëmbari të kujton se topi duhet çuar te shoku që është i vetëm para portës. Mëkat nëse përdor këmbën pa dëgjuar mendjen.

Dhe për pak harrova shifrën e shifrave: asnjë skuadër e Kampionati­t nuk ka arritur të shënojë mesatarish­t 2 gola për ndeshje. Madje 5 prej tyre nuk kanë arritur të shënojnë mesatarish­t as edhe 1 gol për ndeshje! Doemos ngaqë kemi 36 herë “1-0”, por dhe 13 herë “0-0”!...

 ?? FOTO: F.HAZISLLARI ?? Çast nga ndeshja Teuta-kukësi 1-0
FOTO: F.HAZISLLARI Çast nga ndeshja Teuta-kukësi 1-0

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania