Panorama Sport (Albania)

Notat e skuadrave

-

PARTIZANI 8 – Një fitore karakteri dhe duke mbajtur portën të paprekur për të dytën ndeshje radhazi. Të kuqtë tregojnë dhëmbët edhe kur Maget lë skuadrën në baltë pa kaluar ende një minutë loje. Dalja me të kuq e mesfushori­t senegalez e ndezi Partizanin, që tregoi shpirt të lartë gare dhe fitoi bindshëm ndaj surprizës së këtij kampionati, Erzenit. Dy fitoret radhazi qetësojnë të kuqtë dy javë para derbit.

TIRANA 7.5 – Kampionët nuk dorëzohen kurrë dhe këtë e konfirmuan në ndeshjen ndaj Kastriotit. Atëherë kur mendohej se kishin lënë dy pikë, duke pasur parasysh penalltinë e shpërdorua­r nga Florent Hasani, goli i fitores erdhi në minutën e 100-të nga 18vjeçari Dijar Nikqi. Insistimi i bardhebluv­e u shpërblye dhe këto tri pikë ishin shumë të rëndësishm­e për të mos u dhënë asnjë shans rivalëve që të afroheshin.

BYLISI 7.5 – Fitore e madhe në Laç e ballshiotë­ve, me një gol të mesfushori­t Flamur Ruçi, i cili sa herë shënon, skuadra merr pikët maksimale këtë kampionat. Lufta për mbijetesë është bërë më e egër se kurrë dhe skuadra e Naxhi Shensojit mori një triumf shumë domethënës.

TEUTA 7.5 – Një gol i bukur i Grudës dhe pritjet heroike të Qirkos, nderuan durrsakët ndaj Kukësit. Ekipi i Martinit vuajti jo pak, por ama meritoi fitoren, që i jep frymëmarrj­e në këtë moment delikat, ku Teuta do të kërkojë të largohet sa më shpejt nga zona e ftohtë.

EGNATIA 6 – Rrogozhina­sit kanë një ngërç të madh në shtëpi, pasi u bë tre muaj që nuk shijojnë një fitore. Ndaj Vllaznisë i shkuan afër, por këtë herë i ndali shtylla dhe nuk përfituan në ato raste që kishin përballë portierit Zogoviç. Megjithatë, edhe një pikë kundër shkodranëv­e që duan titullin vlen për skuadrën e Edlir Tetovës.

VLLAZNIA 5 – Shkodranët e kanë pisk me Egnatian! Sërish nuk fitojnë dot në Rrogozhinë, por barazimi këtë herë është si ngushëllim, paçka se mund të konsideroh­et hap fals për faktin se Tirana dhe Partizani fituan ndeshjet e tyre dhe diferenca me kreun shkoi -5 pikë.

KASTRIOTI 4.5 – Reziston deri në minutën e 100-të dhe në fund del pa pikë ndaj Tiranës. Portieri Sali i mbajti disa herë në lojë krutanët, duke pritur edhe një penallti. Mirëpo, gjesti antisporti­v i Joan Çelës, si dhe dëmtimi afër fundit i Martin Prenkoçevi­ç, bëri që Kastrioti ta mbyllte me 9 lojtarë dhe e pësoi nga një goditje këndi.

KUKËSI 4 – Del pa pikë nga Durrësi, në një ndeshje ku duhet të shmangte humbjen. Teuta e kap “mat” me një kundërsulm, ndërsa Barbosa shpërdoron penallti dhe më pas ekipi i Hallaçit s’ka as fatin me vete.

LAÇI 4 – Kurbinasit zhgënjejnë ndaj Bylisit, duke shpërdorua­r disa raste për shënim dhe më pas u goditur në qendër të mbrojtjes.

ERZENI 4 – Në vend që të përfitonte nga avantazhi numerik që pas minutës së parë, shijakasit bënë “vetëvrasje” ndaj Partizanit, duke zhvilluar një nga ndeshjet më të dobëta të këtij kampionati.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania