Panorama Sport (Albania)

Klop: Torturë të shihja Liverpul-real, duhen 2 superndesh­je

“Ançeloti, trajneri më i qetë dhe njerëzor që kam takuar”

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Jyrgen Klop thotë se ka përjetuar torturën e rishikimit të finales së sezonit të shkuar të Champions-it kundër Realit për herë të parë përpara duelit të sotëm në 1/8-at kundër gjigantëve spanjollë në “Anfield Road”. Tekniku gjerman tha në konferencë­n për shtyp se skuadrës së tij i duhen dy ndeshje perfekte kundër skuadrës që i ka shkaktuar shumë zhgënjime atij në 5 vitet e fundit, për të siguruar biletën në çerekfinal­e. Reali e mundi Liverpulin në finalen e Kievit në vitin 2018 dhe e përsëriti një gjë të tillë edhe në finalen e sezonit të shkuar në Paris, ku një gol i Viniciusit bëri diferencën. Klop do të kishte qenë i lumtur sikur të mos kishte parë asnjë sekondë për atë që ndodhi majin e shkuar në Paris. “Gjëja që unë kuptova menjëherë tani është përse nuk e kam parë finalen në ritransmet­im. Ishte një torturë e vërtetë, sepse ne luajtëm një ndeshje të mirë dhe mund të kishim fituar, por ata shënuan dhe ne nuk e bëmë. Ne pamë se sa me përvojë është Reali dhe se sa pak ata nervozohen nga fati që skuadrat e tjera kanë shanse. Ata nuk e humbasin vetëbesimi­n në një sekondë. E dinë që ‘do të vijë shansi ynë’ dhe mbrojnë me jetë. Kjo është diçka që duhet mësuar prej tyre, pa dyshim”. Përveç dy finaleve të humbura, Reali i eliminoi 3-1 edhe në çerekfinal­et

e 2021-shit. “Dikush më tha pas finales, por nuk e di nëse është e vërtetë se Karlo tha se Liverpuli e dinte shumë mirë se me çfarë do të përballej. E ripashë ndeshjen, duke ditur ekzaktësis­ht atë që ne do të bëjmë dhe ne duhet ta fitonim atë ndeshje. Ne nuk e bëmë dhe një arsye ishte përse nuk shënuam, por ne duhet ta kishim fituar me rastet që krijuam. Por Karlo është trajneri më i qetë që

unë kam takuar në jetën time, një prej njerëzve më të mirë që mund të takosh: një njeri fantastik, i përulur, super i zgjuar dhe i këndshëm. Mënyra njerëzore e menaxhimit të tij është tërësisht në një tjetër nivel nga çdokush. Unë e admiroj shumë. Unë pres që ‘Anfield’ të jetë gati për gjithçka. Njerëzit janë të lumtur që na kanë parë në një formë më të mirë në dy ndeshjet e fundit dhe le të provojmë

sërish. Shpresojmë që këto dy rezultate të na ndihmojnë që të vijojmë të bëjmë një superndesh­je, në fakt duhet të luajmë dy superndesh­je për t’u kualifikua­r. Unë nuk kam problem me këtë, sepse nëse nuk luan në mënyrën më të mirë ti nuk ke asnjë shans. Realit nuk i duhet të bëjë ndeshjen më të mirë për të pasur një shans. Kjo është diferenca. Është një duel goxha special dhe unë mezi po e pres”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania